Franca dërgon trupa në Arabinë Saudite
Franca do të dërgojë trupa, radarë dhe sisteme mbrojtëse në Arabinë Saudite, në kuadër të një marrëveshjeje të finalizuar mes Parisit dhe Riadit.
Lajmin e bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha se objektivi është mbrojtja e qytetit port të Yanbu-së, një pikë strategjike për transportin e energjisë në Detin e Kuq.
“Ne kemi finalizuar një marrëveshje me sauditët për të vendosur asete ushtarake, që do të thotë trupa, radarë dhe sisteme mbrojtëse, për të mbrojtur këtë vend, jo për tu përfshirë në konflikt, por për të mbrojtur vendin”, tha Macron.
Deklarata vjen në një moment tensioni të shtuar në rajon.
Për Parisin, mbrojtja e infrastrukturës strategjike dhe e rrugëve të transportit energjetik është një çështje me rëndësi të veçantë.
Gjatë intervistës, Macron komentoi edhe debatin në Shtetet e Bashkuara për kufizimin e eksporteve të naftës.
“Çfarë do t’i propozoj Trump? Pikërisht që ne, kombet dhe ekonomitë kryesore të njohura si G7, të ulemi së bashku nëse duam të ulim çmimet për vendet tona, ndoshta duhet të shqyrtojmë lirimin e rezervave strategjike në një mënyrë të koordinuar. Kjo do të rriste furnizimin e tregut dhe do të ulte çmimet”, tha Macron.
Ndërkohë, sa i përket Rusisë, Macron tha se CIA nuk e ka paralajmëruar Parisin për një sulm të mundshëm rus ndaj Evropës Jugore që mund të përfshinte edhe Francën.
Megjithatë, presidenti francez deklaroi se Rusia po shton veprimet armiqësore dhe kriminale ndaj vendeve evropiane dhe se Franca mund të përballet me kërcënime të ngjashme me incidentin e dështuar në Leipzig.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.