Haga refuzon lirimin e parakohshëm të Jovica Stanišiçit, ish-shefit të shërbimit sekret serb
Mekanizmi i Hagës: megjithëse ka vuajtur dy të tretat e dënimit, rëndësia e krimeve dhe mungesa e shenjave të rehabilitimit e pengojnë lirimin
Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë ka refuzuar sot kërkesën për lirim të parakohshëm të Jovica Stanišiçit, ish-shefit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB) të Serbisë, i cili po vuan dënimin me 15 vjet burg për krime lufte të kryera në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci gjatë viteve 1991–1995. Vendimi u mor nga presidentja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana.
Sipas arsyetimit të gjykatës, megjithëse Stanišiç ka vuajtur tashmë dy të tretat e dënimit – duke plotësuar kushtin formal për lirimin e parakohshëm – ekzistojnë arsye të forta që flasin kundër lirimit: rëndësia e veçantë e krimeve për të cilat është dënuar dhe mungesa e shenjave të mjaftueshme të rehabilitimit. Gjykata nuk gjeti as arsye humanitare bindëse që do të justifikonin lirimin e tij të hershëm.
Kërkesën për lirim të parakohshëm Stanišiç e kishte dorëzuar në mars të këtij viti. Ai është një nga figurat më të larta të aparatit të sigurimit serb të periudhës së luftërave ballkanike të viteve ’90.
Me vendimin përfundimtar të majit 2023, Gjykata dënoi me nga 15 vjet burg ish-drejtuesit e SDB-së, Jovica Stanišiç dhe Franko Simatoviç “Frenki”, për pjesëmarrje në ndërmarrje të përbashkët kriminale. Ata u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit, vepra çnjerëzore, vrasje, dëbime dhe përndjekje të popullsisë civile në disa komuna të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.