Franca e quan thellësisht zhgënjyes propozimin e ri për buxhetin e BE-së: nuk përbën bazë për marrëveshje
Propozimi më i ri negociues për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian është “thellësisht zhgënjyes”, tha të shtunën Presidenca franceze, siç njofton Reuters. Sipas Presidencës, propozimi “mbetet shumë larg asaj që nevojitet, veçanërisht për Politikën e Përbashkët Bujqësore, sidomos për të garantuar mbështetjen e të ardhurave për fermerët”.
“Siç qëndron, ky propozim i presidentit të Këshillit Evropian nuk përbën bazë për një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e Presidencës franceze. Reagimi erdhi pak orë pasi António Costa u shpërndau të shtunën vendeve anëtare propozimin e ri për buxhetin afatgjatë të bllokut për periudhën 2028–2034.
Propozimi i Costës parashikon shkurtime prej 44 miliardë eurosh krahasuar me propozimin e mëparshëm të presidencës irlandeze të Këshillit dhe është në total 204 miliardë euro, ose 10.2 për qind, më i vogël se propozimi fillestar i Komisionit Evropian prej rreth dy trilionë eurosh. Costa ka propozuar edhe një taksë të re për gjigantët digjitalë, si burim shtesë financimi për buxhetin.
Buxheti afatgjatë i BE-së është mënyra se si blloku me 27 vende anëtare financon të gjitha politikat e tij, nga mbështetja për fermerët te zhvillimi i teknologjive të reja dhe mbështetja e industrisë e kërkimit përballë konkurrencës nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Ai duhet të miratohet nga të gjitha qeveritë e vendeve anëtare dhe në fund edhe nga Parlamenti Evropian.
Propozimi pritet të jetë në qendër të samitit të liderëve të BE-së javën e ardhshme në Bruksel, ndërsa eurodeputetët do ta debatojnë atë të mërkurën në seancën plenare në Strasburg. Reagimi i ashpër i Parisit tregon se negociatat për buxhetin 2028–2034 do të jenë të vështira.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.