ITALI – Vdekja e ish-kreut të Policisë, De Gennaro, trondit politikën, Borsellino akuzon prokurorët për nxitje të vetëvrasjes
ROMË, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Vdekja e ish-kreut të Policisë së Shtetit italian, Gianni De Gennaro, ka shkaktuar reagime të shumta në Itali, ku përfaqësues të qeverisë dhe të politikës, kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij, ndërsa disa prej tyre kanë kritikuar ashpër mënyrën se si ai u trajtua gjatë hetimeve gjyqësore të ditëve të fundit.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u shpreh se ishte “thellësisht e tronditur” nga lajmi për vdekjen tragjike të De Gennaros.
Ajo shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e saj me familjen, veçanërisht me vëllain e tij, i cili mban detyrën e komandantit të përgjithshëm të “Guardia di Finanza”, si dhe me të gjithë të afërmit në këtë moment dhimbjeje.
Reagime pati edhe nga drejtues të tjerë të institucioneve italiane.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e cilësoi De Gennaron një funksionar të rëndësishëm të shtetit, i cili i kishte shërbyer Italisë në detyra të rëndësishme dhe në periudha historike veçanërisht të vështira.
Ai shprehu solidaritetin me bashkëshorten, fëmijët dhe vëllain e të ndjerit, duke theksuar se punonjësit e Ministrisë së Brendshme do ta kujtojnë për seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj detyrës.
Edhe presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, tha se ishte i tronditur nga fundi tragjik i ish-kreut të Policisë.
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë, sipas të cilit çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, e përshkroi De Gennaron si një polic të madh dhe një shërbyes të shtetit, i cili kishte punuar gjatë gjithë jetës për institucionet italiane.
Tajani theksoi se hetimet duhet të zhvillohen nga organet kompetente, ndërsa proceset dhe vendimet për fajësinë, duhet të bëhen në sallat e gjyqit dhe jo përmes gjykimeve publike.
Sipas tij, De Gennaro nuk është rasti i vetëm i një personi që përballet me gjykime jashtë sistemit gjyqësor, përpara se të ketë një vendim nga gjykata.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe lideri i “Lega”Matteo Salvini, i cili e cilësoi ish-kreun e Policisë “viktimë të një masakre mediatiko-gjyqësore”, duke thënë se karriera dhe shërbimi i tij ndaj shtetit nuk e meritonin një trajtim të tillë.
Ndërkohë, nënsekretari në Presidencën e Këshillit të Ministrave, Alfredo Mantovano, kujtoi bashkëpunimin shumëvjeçar me De Gennaron dhe vlerësoi përkushtimin e tij ndaj institucioneve dhe detyrës.
Reagime kritike ndaj institucioneve pati edhe nga figura të tjera politike.
Një nga reagimet më të ashpra erdhi nga Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit, Paolo Borsellino, i cili akuzoi Prokurorinë e Caltanissetta-s për përgjegjësi morale në vdekjen e ish-kreut të Policisë.
“Vdekja e De Gennaros, sipas mendimit tim, e bën Prokurorinë e Caltanissetta-s përgjegjëse për nxitje të vetëvrasjes”, deklaroi ai për agjencinë ANSA.
Borsellino kundërshtoi gjithashtu kompetencën e kësaj prokurorie për hetimin, duke argumentuar se çështja duhej të ndiqej nga Prokuroria e Palermos.
Sipas tij, hetimet synonin të zhvendosnin vëmendjen nga përgjegjësitë e mundshme të Njësisë së Operacioneve Speciale të Karabinierëve (ROS) dhe shërbimeve sekrete për zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” e vëllait të tij, duke e përqendruar vëmendjen te Policia e Shtetit.
Ish-kreu i Policisë, Gianni De Gennaro, 78 vjeç, u gjet i vdekur në banesën e tij në fshat, në Toskanë.
Mediet italiane raportuan se ai i kishte dhënë fund jetës, ndërsa lajmi për vdekjen e tij u bë publik nga autoritetet italiane.
Vdekja e tij ndodhi pak ditë pasi Prokuroria e Caltanissetta-s e kishte regjistruar si person nën hetim për dyshime për pengim dhe devijim të hetimeve lidhur me atentatin mafioz të 19 korrikut 1992 në rrugën “Via D’Amelio”, në Palermo, ku u vra gjyqtari Paolo Borsellino, nga figurat kryesore të luftës kundër mafias, së bashku me pesë pjesëtarë të eskortës së tij.
Hetimi lidhet gjithashtu me zhdukjen e “agjendës së kuqe” të Borsellino, një bllok shënimesh ku gjyqtari mbante shënime për çështjet që hetonte dhe që nuk u gjet kurrë pas atentatit.
Sipas dyshimeve të prokurorëve, De Gennaro dhe disa bashkëpunëtorë të tij mund të kenë ndërhyrë për të penguar ish-bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe ish-anëtarin e mafias, Salvatore Contorno, të jepte dëshmi përpara prokurorëve.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu dyshimet për fshehjen e dokumenteve që lidhen me arrestimin e Contornos në vitin 1989.
Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak për De Gennaron, por gjyqtari për hetimet paraprake e kishte rrëzuar kërkesën.
Prokurorët e kishin kundërshtuar këtë vendim dhe kishin paraqitur ankim në gjykatën përkatëse. Për 1 dhjetor ishte planifikuar marrja në pyetje e ish-kreut të Policisë.
De Gennaro nuk ishte shpallur fajtor dhe ndaj tij nuk kishte një vendim përfundimtar gjyqësor për akuzat e ngritura.
Hetimet synonin të sqaronin nëse ai dhe persona të tjerë kishin pasur rol në pengimin e zbardhjes së rrethanave të atentatit dhe në zhdukjen e dokumentit të rëndësishëm të gjyqtarit Borsellino. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.