KOMENT – Trump u kërkon evropianëve të ndalin financimin për Kievin, ndërsa përshpejton negociatat me Putinin
BERLIN, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për të pritur përfaqësuesit evropianë në Moskë, për të diskutuar qëndrimin e tyre mbi përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump u ka kërkuar vendeve evropiane të ndalin financimin për Kievin.
Zhvillimet vijnë në një moment kur më shumë se 30 vende të Koalicionit të Vullnetshmëve janë mbledhur në Berlin, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe dy të dërguarit e posaçëm amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt një marrëveshjeje paqeje.
Putini ka deklaruar se dëshiron të presë evropianët në Moskë, për të kuptuar më mirë qëndrimin e tyre.
Ndërkohë, Trump, gjatë një telefonate nga avioni presidencial “Air Force One”, pas kthimit nga Kina, e cilësoi pozitive bisedën me homologun e tij rus dhe shprehu besimin se mund të ndihmojë në avancimin e procesit të paqes në Ukrainë.
Megjithatë, sipas raportimeve të mediave gjermane “Politico” dhe “Welt”, Trump ka kritikuar Bashkimin Evropian për dhënien e miliarda eurove të tjera në ndihmë të Ukrainës.
Në Berlin, diskutimet po zhvillohen nën drejtimin e formatit E3, që përfshin Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa për herë të parë është përfshirë edhe formati E5, me Italinë dhe Poloninë, i cili synon të përfaqësojë qëndrimin evropian në negociata.
Diplomatët evropianë vlerësojnë se Uashingtoni, kërkon të përshpejtojë negociatat për përfundimin e luftës.
Burime italiane e kanë cilësuar momentin aktual si veçanërisht të favorshëm për avancimin e procesit diplomatik.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse takimi trepalësh mes Trump, Putinit dhe presidentit kinez, Xi Jinping në Shenzhen, ka krijuar vërtet kushtet për një përparim diplomatik dhe për lëshimet që mund të kërkojë Moska në këmbim të gatishmërisë për të dialoguar me evropianët.
I dërguari amerikan, Jared Kushner bëri të ditur se Rusia ka pranuar të marrë pjesë në një format shumëpalësh me vendet evropiane.
Hapi i radhës, pritet të jetë përcaktimi i datës dhe vendit të raundit të ri të negociatave, ku një nga mundësitë është edhe Abu Dabi.
Këshilltarët e sigurisë kombëtare të vendeve të E5 dhe Ukrainës, së bashku me përfaqësuesit amerikanë Kushner dhe Witkoff, vijuan diskutimet në Kancelarinë gjermane edhe pas përfundimit të takimit të liderëve.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni kërkoi një mandat të qartë për formatin E5, duke theksuar se duhet të përcaktohet se çfarë kërkojnë evropianët në negociata, çfarë janë të gatshëm të ofrojnë dhe cilat janë vijat e kuqe që nuk do të pranojnë të kalohen.
“Nuk e di çfarë të pres nga rusët”, u shpreh Meloni, duke i bërë gjithashtu thirrje Kinës të përdorë ndikimin e saj mbi Moskën, për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se Evropa është e gatshme të bisedojë me Putinin, por vetëm në një vend neutral.
Ai i bëri thirrje presidentit rus, t’i japë fund luftës dhe të krijojë kushtet për një zgjidhje diplomatike.
Merz kundërshtoi gjithashtu mundësinë e një marrëveshjeje mes fuqive të mëdha, pa pjesëmarrjen e Ukrainës, duke paralajmëruar se një model i ngjashëm me marrëveshjet e Jaltës nuk do t’i shërbente paqes.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi se takimi i fuqive të mëdha në Shenzhen, nuk përfaqëson një riorganizim të rendit botëror.
Ai kërkoi rihapjen e diskutimit për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe nënvizoi se negociatat duhet të nisin me garancitë e sigurisë, të vijojnë me çështjen e territoreve dhe të përfundojnë me marrëveshjen e paqes.
Nga ana e tij, Zelensky e cilësoi anëtarësimin në NATO si garancinë më të mirë të sigurisë për Ukrainën.
Ai mirëpriti gjithashtu mbështetjen financiare prej 45 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, ndërsa kërkoi vazhdimin e ndihmës ushtarake.
Macron u bëri thirrje vendeve të Koalicionit të të Vullnetshmëve, të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për t’i siguruar Ukrainës kapacitetet ushtarake, që i duhen për të vijuar rezistencën ndaj agresionit rus.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Andy Burnham vlerësoi se Rusia është humbësja më e madhe e konfliktit, duke argumentuar se gjatë tre muajve të fundit, ka humbur po aq ushtarë sa gjatë nëntë viteve të luftës në Afganistan. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.