FRANCË – Bie pjesëmarrja në protesta, zhvillohen tubime të qeta në Paris dhe Lion
PARIS, 8 nëntor /ATSH-AFP/- Protestat kundër qeverisë dhe rritjes së kostos së jetesës në Francë u zhvilluan dje në disa qytete të vendit, por me një pjesëmarrje dukshëm më të ulët krahasuar me javët e mëparshme.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 146 mijë persona morën pjesë në protestat e organizuara në të gjithë vendin, përfshirë 46 mijë në Paris.
Nga ana tjetër, organizatorët vlerësuan se numri i pjesëmarrësve arriti në 250 mijë në shkallë vendi, mes tyre 75 mijë në kryeqytet.
Këto shifra shënojnë një rënie të ndjeshme krahasuar me fundjavat e mëparshme.
Më 31 tetor, autoritetet raportuan 320 mijë pjesëmarrës, ndërsa më 24 tetor rreth 410 mijë dhe më 17 tetor rreth 550 mijë demonstrues.
Rënia e pjesëmarrjes vjen vetëm dy ditë pas një proteste dhe greve kombëtare, të zhvilluar më 5 nëntor, ku sipas autoriteteve morën pjesë rreth 575 mijë persona, ndërsa sindikatat pretenduan se numri arriti në 1,6 milionë.
Marshimi kryesor në Paris, nga Sheshi i Republikës drejt Sheshit të Kombit, u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë.
Megjithatë, gjatë shpërndarjes së protestuesve në zonën e Sheshit të Kombit pati incidente, përfshirë përplasje dhe ndërhyrje të forcave të policisë.
Në Lion, situata ishte më e tensionuar. Rreth 900 persona u mblodhën në zonën e ish-Manufakturës së Duhanit, por tubimi, i cili nuk ishte i autorizuar, u shpërnda nga policia.
Një grup prej rreth 200 protestuesish u largua drejt zonës së Grange-Blanche, ndërsa u mbajt nën vëzhgimin e forcave të rendit.
Në disa qytete të tjera, përfshirë Tuluzën, Grenoblin, Marsejën, Nantën dhe Bordonë, u raportuan incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë tubimeve pati hedhje sendesh dhe mjetesh piroteknike në drejtim të forcave të sigurisë.
Për garantimin e rendit publik, autoritetet kishin angazhuar rreth 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie në të gjithë vendin.
Bilanci paraprak i Ministrisë së Brendshme, i publikuar në orën 18:00, raportoi 232 persona të arrestuar.
Protestat janë pjesë e një vale mobilizimi që ka vijuar prej disa javësh, e nxitur nga pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës, pagat, kushtet në sistemin arsimor dhe financimin e shërbimeve publike.
Lëvizja nisi me protestat e nxënësve dhe studentëve për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe universitete, ndërsa më pas iu bashkuan edhe sindikatat e punëtorëve dhe grupe të tjera qytetarësh.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, pritet të zhvillojë të hënën një takim me përfaqësuesit e sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve, në kuadër të një konference sociale ku do të diskutohen pagat dhe fuqia blerëse e qytetarëve.
Protestat zhvillohen pesë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, në një periudhë të tensionuar politike dhe sociale për vendin. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.