Media izraelite “Ynet”: Shqipëria mes vendeve që kanë përjetuar transformimin më të madh turistik
– Shqipëria është ndër vendet që kanë përjetuar ndryshimin më të madh në hartën turistike të Evropës, duke u shndërruar nga një prej vendeve më të izoluara të kontinentit në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët ndërkombëtarë, shkruan Asaf Rosen në median izraelite “Ynet News”.
Hapja e vendit pas rënies së komunizmit, bukuritë natyrore dhe çmimet relativisht të përballueshme kanë ndikuar në rritjen e interesit.
Ky transformim është pjesë e një ndryshimi më të gjerë të turizmit botëror, ku luftërat, zhvillimet politike, hapja e kufijve dhe investimet kanë ndryshuar fatin e shumë destinacioneve.
Luftërat, grushtet e shtetit, hapja e kufijve dhe investimet e mëdha kanë ndryshuar hartën globale të turizmit.
Nga shndërrimi i Dubait në një qendër të rëndësishme turistike, te rritja e numrit të vizitorëve në Islandë dhe hapja e Evropës Lindore ndaj turizmit ndërkombëtar, disa destinacione kanë përjetuar zhvillim të vrullshëm, të tjera kanë pësuar rënie, ndërsa disa po përpiqen të ndryshojnë sërish imazhin e tyre.
Në vitin 2010, shpërthimi i një vullkani në Islandë shkaktoi ndërprerjen e një pjese të madhe të trafikut ajror në Evropë.
Megjithatë, vetëm tetë vjet më vonë, ishulli në Atlantikun e Veriut mirëpriste pesë herë më shumë turistë.
Një tjetër shembull është qyteti Medellín në Kolumbi, i cili dikur lidhej kryesisht me kartelet e drogës të Pablo Escobarit.
Sot, lagjet që dikur ishin përballur me dhunën janë kthyer në atraksione turistike.
Në drejtim të kundërt ka ecur zhvillimi në Kubë, e cila dikur tërhiqte afro 5 milionë turistë në vit, por tani po përballet me një krizë të thellë të sektorit të turizmit.
Këto ndryshime janë shpesh rezultat i vendimeve politike, por mund të vijnë edhe si pasojë e proceseve afatgjata, investimeve të konsiderueshme dhe ndryshimit të imazhit të një destinacioni.
Në këtë mënyrë, harta globale e turizmit vijon të ndryshojë vazhdimisht, shpesh në drejtime të papritura.
Shqipëria, nga vendi më i izoluar i Evropës në një destinacion të rëndësishëm turistik në Ballkan
Për dekada me radhë, Shqipëria ishte ndër vendet më të mbyllura dhe më të izoluara të Evropës.
Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili drejtoi vendin nga viti 1944 deri në vdekjen e tij më 1985, Shqipëria u shkëput gradualisht edhe nga aleatët e saj komunistë.
Në këtë periudhë, qytetarët kishin pothuajse asnjë mundësi për të udhëtuar jashtë vendit, ndërsa turizmi ndërkombëtar zhvillohej në përmasa shumë të kufizuara dhe nën mbikëqyrje të rreptë.
Në atë kohë, ideja se miliona turistë do të zgjidhnin një ditë plazhet shqiptare për të kaluar pushimet, do të dukej pothuajse e pabesueshme.
Rënia e regjimit komunist në fillim të viteve 1990, shënoi hapjen e Shqipërisë ndaj botës, por ndryshimi i profilit të saj turistik nuk ndodhi menjëherë.
Ky proces mori hov kryesisht gjatë dekadave të fundit, kur turistët ndërkombëtarë nisën të zbulojnë gjithnjë e më shumë potencialin turistik të vendit.
Plazhet e Rivierës Shqiptare, qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës, Alpet Shqiptare, si dhe kryeqyteti, Tirana, e cila ka pësuar gjithashtu ndryshime të rëndësishme, janë bërë pjesë e kësaj oferte turistike.
Të dhënat statistikore pasqyrojnë rritjen e interesit për Shqipërinë.
Sipas Ministrisë së Turizmit, në vitin 2010 vendi regjistroi rreth 2,3 milionë vizitorë, ndërsa në vitin 2025 numri i hyrjeve të shtetasve të huaj arriti në rreth 12,47 milionë.
Megjithëse shifrat bazohen në përkufizime të ndryshme statistikore dhe për këtë arsye nuk mund të krahasohen plotësisht, ato dëshmojnë rritjen e konsiderueshme të lëvizjeve turistike drejt Shqipërisë.
Një ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e tërheqjes së vendit, është niveli relativisht i përballueshëm i çmimeve, krahasuar me shumë destinacione të Evropës Perëndimore.
Megjithatë, zgjerimi i sektorit turistik ka sjellë edhe sfida të reja.
Rritja e ndërtimeve përgjatë vijës bregdetare, përqendrimi i lartë i vizitorëve gjatë sezonit veror dhe shqetësimet për ndikimin në peizazhin natyror, janë kthyer në çështje të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, sfida që në kohën kur Shqipëria vizitohej nga një numër shumë i kufizuar turistësh pothuajse nuk ekzistonin.
Në analizë përfshihen disa vende dhe rajone që kanë përjetuar ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e turizmit, si Islanda, Mianmari, Shqipëria, Dubai dhe Arabia Saudite, El Salvadori, Turqia, si dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.