FRANCË – Macron pas protestave masive: Dialog me nxënësit, studentët dhe sindikatat
PARIS, 19 tetor /ATSH-AFP/- Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi se do të merret me shqetësimet e qytetarëve pas protestave sociale në Francë, por nuk bëri asnjë premtim konkret për masa të reja.
“Qeveria po bën gjithçka që ka në dorë për të trajtuar çështjen kryesore të fuqisë blerëse të qytetarëve. E di se francezët presin rezultate konkrete dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë”, tha dje në mbrëmje Macron në një fjalim televiziv.
Një nga çështjet kryesore të protestave masive të së shtunës ishte rritja e kostos së jetesës, shtrenjtimi i ushqimeve, energjisë, karburanteve dhe shpenzimeve të tjera të përditshme.
Macron tha se rritja e këtyre kostove po shkaktohet aktualisht nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Ai deklaroi se po përpiqet, përmes nismave dhe bisedimeve ndërkombëtare, të ulë çmimet e karburanteve dhe energjisë.
Macron do të niset sot për një vizitë në katër vende të Gjirit Persik, me synimin për të garantuar furnizimin e Francës me energji.
Macron: Nxënësit dhe studentët duhet të dëgjohen
Presidenti francez tha se i kupton protestat e nxënësve dhe studentëve.
“Ata duhet të dëgjohen pa paragjykime dhe vështirësitë e tyre nuk duhet të nënvlerësohen. Qeveria ka marrë tashmë masa përkatëse dhe dëshiron të bisedojë drejtpërdrejt me ata që shprehin pakënaqësi”, tha Macron.
“Duhet të ulemi në një tryezë dhe të gjejmë zgjidhje së bashku. Që këtë javë, nxënësit, studentët, mësuesit, përfaqësuesit e shoqatave të punëdhënësve dhe të sindikatave, autoritetet vendore dhe deputetët do të punojnë së bashku me qeverinë për të hartuar propozime konkrete”, deklaroi Macron.
Ai shtoi se kryeministri francez do t’i ftojë përfaqësuesit në një takim gjatë ditëve në vijim.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, 550 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës në mbarë vendin, kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të gjendjes së shkollave. Prej tyre, 110 mijë protestuan në Paris.
Në disa zona, në periferi të tubimeve, shpërthyen përleshje të rënda. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.