FRANCË – Macron: Protestat e nxënësve po shfrytëzohen nga forcat politike
PARIS, 14 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron, vlerëson se nxënësit e shkollave të mesme kanë arsye të vlefshme për të protestuar dhe se shqetësimet e tyre duhen marrë në konsideratë.
Megjithatë, ai paralajmëron se forca të ndryshme politike po përpiqen t’i shfrytëzojnë protestat për interesat e tyre, ndërsa demonstratat në disa qytete janë shoqëruar edhe me akte dhune.
Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, tha se Macron i ka kërkuar qeverisë të propozojë masa konkrete brenda javëve të ardhshme, për t’iu përgjigjur pakënaqësive të nxënësve.
Deklarata u bë pas mbledhjes së përjavshme të kabinetit qeveritar, një ditë pasi demonstratat e solidaritetit me nxënësit në mbarë Francën, treguan mbështetje të konsiderueshme për protestuesit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në demonstratat e zhvilluara në Paris dhe qytete të tjera, morën pjesë rreth 161 500 persona.
Sindikatat që organizuan tubimet deklaruan se numri i pjesëmarrësve arriti në 480 000.
Në periferi të marshimeve në Paris dhe Lion pati episode dhune, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’u përballur me situatën.
Sipas Bregeon, Macron theksoi gjatë mbledhjes së qeverisë se të rinjtë kanë shqetësime legjitime, por paralajmëroi se ato po shfrytëzohen për qëllime politike dhe po shndërrohen në akte dhune në qytete.
Protestat po zhvillohen në prag të zgjedhjeve presidenciale në Francë, të planifikuara për prillin dhe majin e vitit të ardhshëm.
Disa parti opozitare kanë shprehur qëndrimet e tyre për demonstratat.
Jean-Luc Mélenchon, kandidati presidencial i partisë së majtë radikale “Franca e Papërkulur” (LFI), mori pjesë në një prej protestave në Paris.
Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” (RN), e drejtuar nga Marine Le Pen, ka shprehur mbështetje për policinë e angazhuar në demonstrata dhe ka fajësuar nxënësit për episodet e dhunshme.
Nxënësit, sindikatat, organizatat për të drejtat e njeriut dhe prindërit kanë akuzuar policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve.
Disa të rinj kanë pësuar dëmtime të rënda.
Familja e një nxënësi 15-vjeçar, i cili humbi dorën nga shpërthimi i një granate trullosëse të policisë, njoftoi të mërkurën se kishte nisur procedurat ligjore për të kërkuar një hetim të paanshëm.
Avokati i familjes, Bertrand Wattez, tha se i riu kundërshton versionin e policisë, të përcjellë nga prokuroria, sipas të cilit ai po përpiqej të merrte granatën kur ajo shpërtheu më 5 tetor.
Nxënësi mohon gjithashtu të ketë marrë pjesë në protestat në qytetin e tij, Lens.
Sipas avokatit, shpërthimi i shkaktoi humbjen e dorës së majtë dhe dëmtime në disa gishta të dorës së djathtë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, deklaroi në parlament se gjatë protestave ishin plagosur 248 nxënës, shumica në incidente të lidhura me dhunën në qytete.
Ai bëri të ditur se ishin plagosur gjithashtu 937 efektivë policie dhe 149 pjesëtarë të personelit arsimor.
Lecornu pretendoi se lëvizja e nxënësve po përdorej për qëllime elektorale nga aleatët e partisë “Franca e Papërkulur”.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, që nga fillimi i protestave në fund të shtatorit janë arrestuar 7 950 persona, 85% e të cilëve të mitur.
Akuza janë ngritur ndaj 2 735 personave, ndërsa 26 janë lënë në paraburgim.
Autoritetet franceze shpresojnë se protestat do të zbuten në ditët në vijim, pasi këtë fundjavë nisin dy javë pushime shkollore.
Qeveria bëri të ditur se 2 000 nga 3 000 mësuesit zëvendësues të premtuar për 114 shkollat më të prekura nga situata kanë nisur tashmë punën.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, deklaroi në parlament se një e treta e rreth 3 700 liceve në Francë, ku studiojnë nxënësit nga mosha 15 deri në 18 vjeç, janë prekur rëndë nga protestat, ndërsa një e treta tjetër është prekur në një masë më të kufizuar. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.