FRANCË – Pas trazirave, kryeministri Lecornu njofton vendosjen e shtetrrethimeve lokale
PARIS, 19 tetor /ATSH- AFP/ – Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, njoftoi vendosjen e shtetrrethimeve lokale pas trazirave të rënda që shoqëruan protestat në Francë, duke bërë të ditur se u kishte kërkuar prefektëve të zbatonin masat që nga mbrëmja e sotme.
Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë, Lecornu deklaroi se kufizimet do të ishin të pjesshme dhe të kufizuara në zona të caktuara.
Një përmbledhje e vendimeve të marra nga autoritetet vendore do të publikohej gjatë pasdites.
Prefektët janë përfaqësuesit më të lartë të shtetit qendror francez në rajone.
Gjatë fundjavës, protestat mbarëkombëtare kundër kostos së lartë të jetesës u shoqëruan me përplasje, trazira dhe grabitje.
Situata mbeti e tensionuar edhe në fillim të javës së re, përfshirë Parisin.
Kryeministri theksoi se episodet e dhunës ishin përqendruar kryesisht në qendrat e qyteteve dhe se situata ndryshonte ndjeshëm nga një zonë në tjetrën.
Sipas tij, një nga synimet kryesore të shtetrrethimeve është mbrojtja e qytetarëve dhe e pronës, veçanërisht e dyqaneve që janë bërë objekt i grabitjeve.
Lecornu tha se autoritetet po përballen me forma të caktuara të veprimtarisë kriminale, që përfshijnë grabitjen e mallrave dhe rishitjen e tyre.
Qeveria synon të kufizojë përhapjen e këtyre akteve përmes masave të përshtatura sipas situatës në secilën zonë.
Kryeministri nuk e përjashtoi mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por vlerësoi se një masë kaq e rëndë nuk ishte e përshtatshme në këtë fazë.
Sipas tij, shtetrrethimet e synuara në zonat problematike përbëjnë një përgjigje më proporcionale ndaj situatës aktuale. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.