“Fundi i Golemëve” që sjell në skenë dramën, tradhtinë, dashurinë dhe fatin e një familjeje shqiptare, me muzikë…
Opera shqiptare “Fundi i Golemëve”, një ngjarje artistike dhe historike, që pritet të lërë gjurmë në artin operistik shqiptar. “Fundi i Golemëve”, opera shqiptare e kompozuar nga Nikolla Zoraqi në vitin 1963, vjen për herë të parë si premierë botërore në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku do të shfaqet për tre mbrëmje këtë maj për publikun, ndërsa është dhe një ngjarje e rëndësishme në aktivitetin artistik këtë sezon. Me një kast artistësh shqiptarë, orkestrën, korin, baletin dhe solistët e TKOB-së, opera “Fundi i Golemëve” një vepër që sjell në skenë dramën, tradhtinë, dashurinë dhe fatin e një familjeje shqiptare në prag të rënies së epokës së Skënderbeut, duke rikthyer fuqishëm historinë dhe identitetin tonë kombëtar përmes muzikës operistike shqiptare.
Me muzikë të Nikolla Zoraqit, orkestruar nga Jozef. F. Pjetri dhe me libret të Kolë Jakovës, bazuar në një nga tregimet më të njohura të letërsisë shqipe, tregimin e shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit”. Aulon Naçi drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se në skenë vjen një vepër si një ngjarje historike për artin shqiptar. “Nën dirigjimin e mjeshtrit të madh Zhani Ciko dhe me regjinë e mjeshtrit Nikolin Gurakuqi, “Fundi i Golemëve” rikthehet pas më shumë se gjashtë dekadash si një ngjarje historike për artin shqiptar, duke i dhuruar publikut një përjetim monumental, plot emocion, krenari dhe identitet kombëtar”, shprehet Aulon Naçi, drejtor i TKOBAP në një reagim të tij në rrjete sociale. Kjo vepër operistike shqiptare do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 28, 29 dhe 31 maj.
Veprat e Nikolla Zoraqit në aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare
Nikolla Zoraqi (Tiranë, 24 janar 1929 -1991) kompozitor shqiptar, i cili gjatë karrierës së tij dha një kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës së re shqiptare. Vepra në të gjitha gjinitë muzikore, që janë luajtur në aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare, janë krijuar nga kompozitori Nikolla Zoraqi, ndërsa këtë sezon artistik është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit që sjell në skenë veprën e tij “Fundi i Golemëve”. Kompozimet e kompozitorit Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit” janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga Orkestra e TKOB-së, Orkestra e RTSH-së, Orkestra e Akademisë së Arteve, Orkestra e Liceut Artistik dhe nga trupa të ndryshme korale dhe instrumentale. Krijoi thuajse në të gjitha gjinitë muzikore, që nga kënga tek opera, nga miniatura instrumentale tek koncerti, baleti e simfonia.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.