Fushata me këngë e valle dhe humbja e opozitës
Aktivisti politik skocez Andre Fletcher dikur thëriste “Më lini të ofroj këngët që i pëlqejnë një kombi dhe nuk ka më asnjë rëndësi se kush do i shkruajë ligjet e tij”.
Fushata e Partisë Socialiste ofroi argëtim më shumë sesa informacion mbi një program politik. Videot e shpërndara ishin spektakël liturgjik i shkrirjes së udhëheqësit me “popullin”, ku udhëheqësi kërcënte ndërsa turma këndonte. Këto lloj shfaqjesh, nuk janë të reja në populizmin bashkëkohor. Në librin e tij “Populisms: A Quick Immersion” Carlos de la Torre, profesor i sociologjisë në Universitetin e Kentakit, shpjegon se një nga aftësitë e populizmit është të mjegullojë kufirin midis politikës dhe argëtimit.
Duke ofruar kënaqësi muzikore me të cilën njerëzit janë mësuar dhe pëlqejnë, megjithëse shumë analistë këngën e zgjedhur e komentuan si “degradim të shijeve muzikore të liderit”, partia socialiste tentonte “të thyente” kufijtë midis njerëzve të pushteshëm dhe njerëzve të zakonshëm.
Pra, kërcimi edhe muzika u përdorën si një strategji legjitimimi politik që synoi të ndikonte tek njërzit duke i unifikuar ata psikologjikisht. E pra qëllimi i fushatës së partisë socialiste nuk ishte të modifikonte idetë, apo të transformonte opinionet, përkundrazi, qëllimi ishte hipnotizues. Thjeshtë të nxiste besimin emocional. Për më tepër, kur kemi të bëjmë me një elektorat të varfër, të keqarsimuar, të pafat për lidhjen midis shkaqeve dhe pasojave, nxitja emocionale është rruga më e shkurtër për arritjen e qëllimeve, një prej të cilave ishte pjesëmarrja e ulët.
Njerëzit që ndjekin zgjedhjet në Shqipëri e dinë që nëse pjesmarrja është e ulët, nën 47%, rezultati është në favor të partisë në pushtet. Psikologu BF Skinner e thotë që “kur mundësia që vota e një njeriu të jetë vendimtare në votime apo të ndikojë në jetën e tij, është më e ulët se mundësia që ai të pësojë aksident rrugës për në qendrën e votimit, njerëzit preferojnë të mos dalin në votime.
Që ndryshimi të ndodhte përtej pakënaqësisë me situatën duhet që të plotësoheshin njëherazi 2 kushte të tjera, duhet të kishte një vizion të qartë dhe të ndryshëm nga i mëparëshmi, edhe hapat e parë drejt një të ardhmeje ndryshe duhet të ishin të qartë. Këto dy variabla nuk plotësoheshin nga opozita. Madje edhe mbrojtësit më të zjarrtë të ndryshimit kishin vetëm një argument të qëndrueshëm, nevojën për rotacionin. Por rotacioni përse nuk i nxjerr njerëzit në votime!
Kënga “ta hangsha zemrën” padyshim nuk do ti çonte njerëzit në votime, kjo nuk ndodhi as në bastione socialiste si Vlora, por fundja qëllimi i PS nuk ishte rritja e pjesëmarrjes, përkundrazi.
Por as shërbimet falas dhe taksat e ulëta nuk i çojnë shqiptarët drejt kutive të votimit, të cilët jetuan 50 vjet në shtëpi falas dhe nuk paguan taksa. Ndërkohë ka ardhur koha të pranohet ajo që tregojnë studimet, se fushatat negative i mbajnë votuesit jopartiakë larg kutive të votimit. Këtu nuk bën përjashtim as votuesi shqiptar. Edhe opozita, që të fitonte e kishte të domosdoshme pjesëmarrjen.
Megjithë premtimet parazgjedhore opozitare se do të mbrohet çdo votë, opozita do të kryejë ritualin e ankimimit publik e institucional poszgjedhor 30 vjeçar të vjedhjes së votave, të blerjes së tyre, i cili i ka shërbyer vetëm kalimit nga beteja në betejë pa fitore, (kjo është fitorja e 8 për Ramën). Mospranimi i humbjes, që për mendimin tim qëndron tek pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, por kërkimi i fajit tek vjedhja dhe blerja ka legjitimuar drejtuesit e konsumuar partiakë. Opozita ka nevojë për një drejtim krejt të ri në figura edhe qasje, ndryshe fushatën tjetër nuk do kërcejë Rama për tu argëtuar ne, por do të kërcejmë ne për të argëtuar Ramën..