Politika

Gati për dialog, por jo negociata për zgjedhjet e 30 qershorit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “negociata që lidhen me zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk ka, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë”.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Kryeministri Rama theksoi se “miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin”.

“E bëmë një marrëveshje në 2017, por nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë , nuk e pranuam dhe e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e fundit që të shtyjmë zgjedhjet përtej afatit kushtetues , më mos gabohem u shtynë një javë”-, nënvizoi Rama.

Sipas tij, këto zgjedhje nuk shtyhen dot se Presidenti mes 23 dhe 30 ka zgjedhur datën 30, e drejta e tij.

“Pra zgjedhjet e 30 qershorit do mbahen në 30 qershor dhe në këtë pikë unë s’kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, pasi është Kushtetuta e Shqipërisë”,- tha Rama

Kreu i qeverisë u shpreh se “nga ana tjetër kam nderin e madh të flas në emrin e një shumice që sot është shumicë në parlament dhe në popull. Ajo shumicë nuk negocion dot Kushtetutën dhe është në drejtën e vet për të kryer një proces të vetin”.

Duke shprehur gjithashtu mirënjohjen për përfaqësuesit e Unionit Kristian Demokrat të Gjermanisë, Rama tha se “Unioni Kristian Demokrat është parti me peshë të madhe në familjen e partive popullore, të cilës i ka rënë për hise edhe Partia Demokratike si anëtare e familjes, që mbajtën një qëndrim absolutisht korrekt dhe të qartë.

“Për sa i përket dialogut unë kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, as për holandezë, as për francezë, as për anglezë , as për norvegjezë, për tu ulur dhe dialoguar, personalisht. E kam thënë dhe përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota”-, shtoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “e kam kërkuar këtë gjë edhe kur s’kishte kapsolla e fishekzjarre kur mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog. Sot pala tjetër ka më shumë nevojë se asnjëherë për dialog dhe vendi ka më shumë se kurrë nevojë për dialog se nuk ia kanë borxh shqiptarët politikanëve situata ku në vend se të mendojnë se çfarë do bëjnë me familjen ditën e shtunë ose të pushojnë të shtunën duhet të festojnë vitin e ri që ëndërron imagjinata qesharake e udhëheqësve të PD dhe duhet të përballojnë zhurma që as për vit të ri në kohën kur ishin armët rrugëve nuk i dëgjonin”.

“Sa i përket dialogut nuk diskutohet që është gjithmonë i nevojshëm për çdo gjë jo vetëm për të krijuar komunikim mes njerëzve, mes njerëzve që përfaqësojnë të tjerë që kanë një barrë të madhe për ti përfaqësuar”, tha Rama.

“Do të shikoni shumë paketa këto ditë, paketa që prodhohen këtu për shumë arsye të ndryshme, paketa që prodhohen për t’i thënë kryetarëve të bashkive, që PD-së, që tundimet për tu regjistruar si të pavarur, apo me një parti tjetër, janë gabim, sepse ndërkohë ka një paketë, paketa për të mbajtur me garietë njerëzit që kanë filluar të firojnë nga manifestimet”, tha Rama.

Ai shtoi se aksionet opozitare të çfarëdo lloji e zëvendësojnë qeverinë vetëm nëse kulmojnë me fushata zgjedhore të suksesshme, ndërsa marshimet opozitare me kapsolla vetëm firojnë ata që vijnë mbrapa kur ti marshon. “Por qeverisë ska se si ti bëjnë asgjë, qeveria buron nga zgjedhjet”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button