Gjashtë mënyra për të shmangur fryrjet e këmbëve këtë verë
Takat e larta tek femrat shumë herë janë kritikuar për problemet që sjellin. Por edhe këpucët apo sandalet e sheshta të verës mund t’ju sjellin probleme për këmbët tuaja.
Njihet si “përhapja e verës” kur këmbët fryhen dhe zgjerohen kur nuk janë mbështetur siç duhet, apo këpucët nuk janë të përshtatshme, shkruan Huffington Post. Këto sandale të sheshta nuk e lejojnë këmbën të formojë harkun e saj, duke sjellë një ecje jo normale, dhe dhimbje të këmbëve, të gjunjve, madje, deri edhe tek dhimbja e shpinës.
Për të shmangur problemet e “përhapjes së verës”, Huffington Post sjell gjashtë këshilla për të patur këmbë të shëndetshme në verë.
1. Bëni testin e “këmbës funksionale”
Merrni një copë letër dhe teksa jeni ulur, bëni një skicë të lehtë të këmbës duke prekur letrën. Më pas përsëriteni testin në të njëjtën copë letër, duke qëndruar në këmbë dhe duke peshuar me gjithë peshën e trupit në këmbë. Këmba juaj do të zgjerohet, teksa ushtroni më shumë peshë. Sa më shumë zgjerohet këmba, aq më shumë rrezikoni nga “përhapja e verës”. Për të shmangur rrezikun nuk duhet të vishni këpucë që lejojnë zgjerimin e këmbës.
2. Shtrëngoni këmbën tuaj
Vishni këpucë të mbyllura apo atlete që ‘shtrëngojnë’ këmbën tuaj. Sigurisht që nuk mund të vishni këpucë palestre në punën tuaj, por vishini ato në shtëpi apo kudo ku të keni mundësi.
3. Blini këpucët e duhura për verë
Blini sandale me pak takë, dhe një harkim të shputës, dhe jo të sheshta fare. Gjatë ditës këmba ka tendencë të zgjerohet, falë gravitetit.
4. Ruhuni nga “këpucët e këqija”.
Edhe këpucët e sheshta, dhe ato që quhen “balerina” mund të japin probleme afatgjatë të shëndetit. Edhe pse këmbët tuaja mund të jenë të forta dhe të shëndetshme, zgjedhjet e këqija duhet të evitohen. Për shkak të “përhapjes së verës”, femrat duhet të jenë të kujdesshme tek këpucët e tyre, të cilat duhet të mbledhin këmbën.
5. Zbusni në mënyrë natyrale ënjtjen e këmbëve
Kremrat e ndryshme që lehtësojnë dhimbjet natyrale të këmbëve përmbajnë arnica, calendula, cayenne dhe mente. Ato ju ndihmojnë shumë për t’u ruajtur nga ‘përhapja e verës’
6. Pini sa më shumë ujë
Ënjtja është dhe një problem metabolizmi dhe hidratimi, dhe jo një problem këmbësh. Me fjalë të tjera, nëse ne ecim me duar, duart do na ënjten. Këshilla më e mirë është të pini sa më shumë ujë, të hani sa më pak të kripura, gjatë ditës mbajini këmbët lart, dhe vishni çorape që nuk ju ngushtojnë shumë.