Gjenevë, protestë kundër sanksioneve të SHBA-ve ndaj Venezuelës
Sanksionet e SHBA-ve kundër Venezuelës dhe njohja e kreut të Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido nga Washingtoni i cili u vetëshpall si president i vendit shkaktoi protestë në Gjenevë të Zvicrës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kundër qeverisë së SHBA-ve kanë reaguar rreth 100 persona të cilët u mblodhën përreth monumenit “Broken Chair” që ndodhet përballë Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe e cila simbolizon kundërshtimin e dhunës së armatosur kundër civilëve.
Përfaqësuesi i përhershëm i Venezuelës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ambasadori Jorge Valero në një fjalim tha se do të rezistojnë deri në fund kundër sanksioneve të SHBA-ve.
Po ashtu Valero në fjalën e tij ka shprehur edhe falënderimet ndaj vendeve të cilat mbështesin presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
Protesta u mbështet gjithashtu nga anëtarët e Partisë Social Demokratike të Zvicrës dhe përfaqësuesit e OJQ-ve nga vende të tilla si Argjentina, Kili, Kolumbia, Kuba dhe Nikaragua.
Protestuesit gjatë protestës kanë brohoritur me slogane anti-imperialiste si dhe kanë hapur pankarta dhe slogane me mbishkrime si “Paqe dhe solidaritet për Venezuelën”, “Jo grusht shteti në Venezuelë”, “Zemra jonë është me presidentin Maduro”, “Ndal agresionin e SHBA-ve kundër Venezuelës”, “Hiqni duart nga Venezuela”.