Gjergj Fishta, në lirikën e një shqiptari prej race
Në 116-vjetorin e lindjes së Lasgush Poradecit botojmë për herë të parë një shkrim të poetit për Gjergj Fishtën shkruar më 1941.
Kur mendova të bëj dhe unë një shënim – dhe pikërisht një shënim rreth anës lirike të veprës së Fishtës, kolegët e mij më thanë mua siç thanë dhe midis tyre: themë e vështirë. Kujtoj se me të vërtet e vështirë është një gjë, mi të cilën njeriu nuk ka për të thënë asgjë. Për atë që e ka shpirtin plot me subiektin e tij, kjo punë s’i vjen e vështirë, po i vjen lehtë dhe shumë e lehtë. Për shkronjësin e këtij shënimi lirikë nuk domethënë, sikundër mësohet nër libra didaktike, një prodhim poetik i një forme së caktuar. Lirika qëndron shumë lart dhe shumë fellë, nuk shtrihet as gjërë as gjatë, ajo domethënë thjeshtësisht frymëzim. Një vepër, që ka frymëzim, që ka tronditje shpirtërore, është lirike vetvetiu. Për një shumicë njerëzish që nuk mund të ndjejnë ata vetë, nga vetëdija e tyre frymëzimin, me fjalë të tjera tingëllin, tonin e qëndrës, lëkundjen dhe tronditjen shpirtërore të një vepre, për ata s’ka lirizmë. Ata duan prova, prova të dikurshme, të prekurshme, formale. Duan shënja dhe shënjat janë, po ata nuk i shohin: nuk i shohin dot nga që nuk mund t’i shohin prej vetiu, pa ndihmën e një tjetri, pa ndërmjetësimin e një shpiegimi të huaj. Prandaj shënja atyre do të mos i-u jipen, siç thotë Shkronja e Shentë, gjer sa të mësohen t’i shohin shënjat vetë; gjer sa të bëhen që të kenë sy për të parë vetë dhe zemër për të ndjerë vetë shënjën dhe provën kapitale të dyshimit të tyre. Si t’u japim prova, si t’ i-u rrëfejmë, t’ i-u zbulojmë momentin krijonjës të Fishtës për Lahutën, pulitjen kritike kur ay u trondit, kur i ardhi frymëzimi dhe desh t’a krijojë Kryeveprën e tij, siç na e vërteton një miku i tij i përzemërt? Duhet të caktojmë se ky proces shpirtëror i ngjau përpara vitit 1900, dhe se përnjëheresh, në frymëzim e sipër, u vu të shkruajë, shkrojti, krijoj dhe se për shëmbëll filloj nga shtypja e veprës që më 1900? Imitacion i mjerë i poetëve slavë tha një kritikonjës aty përpara kohe në një fletore, për Lahutën e Malsis. Imitacion, po! për atë që humbet në hollësira filologjike, në të himëta istoriografije letrare, i cili nuk mund të pushtojë me një vështrim kuptimin dhe bukurinë e një vepre në sinthezë, tërësisht. Këtyre i-a-u kam shkoqitur principin krijimtar të poezisë, të krijimit letrar origjinal, me anën e kësaj reviste në letrën e hapur Poezi, et coetera… Ajo përmban një dogmë artistike të pakundërshtuar, fshehtësirën e atelierit poetik, të reveluar nga vetë veprat letrare të autorëve. Aty gjejmë transfizikën e krijimit, kriterin e math të një vepre origjinale. Gjejmë- tronditjen e re. Dhe para kësisoj, mësojmë se dhe në përfytyrimin e Lahutës kemi lirizmë, krijim të ri nga një tronditje e re shpirtërore. Prova dhe këtu? shënja? Shkruaj me këtë rast për ata që e duan poezinë, që janë lindur vetiu me shijen letrare, dhe për këta është një gëzim i lartë estetik të marrin vesh tashi të mosmarrurënvesh dhe të ndjejnë të mosndjenjurshmen nër vetijat primordiale të veprës së artit. Kur At Pal Dodaj, më i pari Provinçjal shqiptar i Urdhërit Françeskan dhe shoku i pandarë gjer në vdekjen e Fishtës prej dyzeteshtatë vjetesh dhe dy muaj, e pyeti Marash Ucin èdhe të gjallë dyke i lëçitur rapsodinë omonime të Lahutës që si i duket, a është “ashtu”? – fatosi i përlavduruar në atë Këngë i-u përgjigj me modestinë lakonike të institucionit të tij: diçka ka shtuar. Kjo diçka është transfigurimi poetik, shtesa e gjeniut, frymëzimi dhe tipizimi lirik i gjithë poemit. Në mënyrë të dukur na e çfaq përfytyrimin e tipizuar kësisoj të Lahutës forma, së cilës Fishta i ka dhënë një shërtim me vargje dhe fragmente dhe pjesë lirike të rralla, dyke i-a ndërruar dhe pasuruar përmbajtjen si pas një urdhërimi ndjenjor të lartë. Gjer edhe stili dhe fjalori është shpesh herë subiektiv, i vetëkrijuar. Një frazë dhe një epitet, një cilësim i rastit e përjashton rrëfimin panjëpady nga nevojësija e tij obiektive, dyke e futur me parapëlqim, siç ngjan kjo me këngët t’ona popullore, në subiektivizmën e zakonëshme të poetit. Po përmi të gjitha këto Lahuta e tërë në koncepcionin e saj ka një karakter që s’i përshtatet as epopesë as poemit epik të regullshëm, klasik, që çquhen nga një obiektivizmë e plotë në tratimin artistik ose në vajtjen e vepërimit, dyke qënë një poem çquarësisht epiko-lirik: epikë obiektive ku ndërhyn në çdo rast pjesëmarrja e shpirtit të poetit, me derdhjet lirike të vetëkuptuarshme dhe të pamunguarshme të tija. Nuk duhet harruar trumba me gjemba e satirave, Anzat e Parnasit, të mbushura me një shfryrje mendimtare të tharbët, të therrshme, dhe të cilavet Fishta, më rrëfen At Pali, i-u jipte për vetëhen e tij më shumë rëndësi sesa Lahutës. Po dokumentin e vullnetit lirik të epikut e përbëjnë kryesisht të dy volumet me poezi Vallja e Parizit dhe Mrizi i Zanave. Dhe s’do ishte mbase pa vënd të shënoj këtu për të parën herë se vjersha më e parë që bëri Fishta ka qënë, siç më thotë At Dodaj, një vjershë lirike dhe pikërisht në gjuhën slave, e kushtuar më të madhit poet boshnjak Gregor Martiq i cili dyke e lëçitur dhe shqyrtuar i shqiptoj autorit djalosh fjalët profetike se ka për t’u bërë një poet i math në Shqipëri. Dhe në qoftë se kjo madhëri u përqëndrua rreth shkëmbit të ashpër të Lahutës së Malsis, nuk do të thotë kurrsesi një këthim, përkundër është ngritja, mi krahat e rënda dhe të gjëra të epopesë, në zenithin e rrëfimit shqiptar kombëtar. Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat shvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtet, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë, të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut; kështu që Ecclesia militans në përqafim me një atdhedashuri të përvëluar pat gjetur shprehjen aq shpesh nër vargjet e tij, veçanërisht me fjalën që është bërë si urdhërim i gjallë në kulturën edukonjëse të letrave shqiptare: Shqiptari prej race, është vetë Shqiptari i Fishtës sa të jetë jeta, Shqiptari i përjetshëm, siç ka qënë, siç do të jetë: Ay i cili për Fe dhe Atdhe e bën vdekjen siç e ka patur zakon gjithnjë – si me le. Feja e përqafuar kësimënyre me idenë e Atdheut përbën bipolaritetin e Qëndrës tokësore-qiellore të zemrës së poetit midis nesh dhe për të cilën ay na la, si trashëgim, testamentin e tij të zjarrshëm me fjalët që na flasin në fundin e vetëdijes s’onë:
Ma mir dekë nen dhè m’u kja,
Se me marrë gjall mbi dhè;
Për dhè t’vet kush dekë ka ra,
Aj s’ka dekun, por ka lè.
(Lahuta e Malsis- Pater Gjoni)
Dhe kështu nër shprehje të panëmëruara të veprave të tija, të mbushura kudo dhe në çdo rast me frymëzimin e fjalës së perëndishme dhe të atdheshme të qëllimit të tij prej misionari. Kulminimi i këtij misioni është ndritja e njeriut shqiptar me anën e principit fetar meditativ: Ecclesia meditans dërgon Verbin e përjetshëm në strofat që përmbledhin esencën e Saj, ndritjen e njeriut, për t’a bërë të përsosur dyke e afruar ndaj Zotin:
E un fletët e mendes s’ti
Kam me i a majtë kah qiella,
Nder ato vise t’kthiella
Dita prej kah vegon;
E tjera bukuri
Atjè kam për t’i zblue:
Fronit kam për t’i a afrue
N’ lumni ku Hyu sundon.
(Shqyptari i gjytetnuem)
Një sërë shkrimesh dhe vjershash i ka kushtuar Fishta drejt-për-drejt ose tërthorazi këtij ideali fetar, për mbajtjen dhe lartësimin e të cilit ay pat veshur që në vogëlinë më të njomë gunën e thjeshtë me litarin e Shën-Françeskut. Me zell të njëjtë u pasqyrua vepërimi i tij në rrethin e shtrënguar të Provinçjes ku, veç së tjerash, odat e drejtuara shokëve Françeskanë dhe Jezuitë janë një dëshmim i ndjerë nga zemra. Fryma e tij militante që nga pikëpamja e vetëbindjes në përmbushjen e destinit të jetës nuk pranon asnjë kompromis, është shpallur themeltarisht në shkrimin polemik Komsija e kleri katolik (Shkodër 1907) dhe u vu në urdhërin e ditës të analeve të kombit shqiptar nga ajo Letër e hapun Zotni Hil Mosit (Hylli i Dritës, Dhjetor 1932) me të bujëshmen gabove, Hil! që preku zemrën e kryeveteranit. Kjo replikë e fortë vullnetërisht e padëshëruar dhe e papranuar, pat qënë brenda kondicionimit të fakteve nevojërisht e justifikuar në drejtim të atij, vepërimin patriotik të të cilit të shpënë gjer në pragun e therrorisë trupore Fishta e ka pavdekësuar në Këngën e Ded Gjo’ Lulit të Lahutës: Lum për Ty/o i Lumi Zot/ Se ç’ka krisun n’at Deçiq/ Idhtë tue u gri turq/ Grudë e Hot/ M’ pushkë/ m’ singija edhè me klliç!/ Kamë per kamë por me malcorë/ M’Deçiq rra ka ‘i djalë i ri: Qaj Hil Mosi/ pushkën n’ dorë/ N’ parsme flamrin “kuq e zi”. Se ky Hila, djalë shkodranë, Për liri të ksajë Shqypnije: Mbathë a dathë, ngranë e pa ngranë: T’ rit e jetën ba kisht’ flije: Gjindja ashtu sa i’n tue u coptue, Tuj u ba ata paçariz, Asht turrë djali e t’ ka flakrue, Porsi gjarpën, mu n’ mjedis; E tue i dhanë aj zjarm “alltis” M’ nji “manov” vjellun nga Azija, Zhvillon flamurin e Shqypnis E vrret t’ madhe: Rrnoftë Shqypnija! Vepërimi i Fishtës në lëmën fetare është i shumëanshëm dhe s’e ka as vëndin as autorin në këto radhë, të cilat i kanë vënë vetes përpara një qëllim të mirëcaktuar dhe të ngushtë: poezija lirike e Fishtës, karakteri, dhe vlera e saj artistike. Dyke shkruar këtë shënim mi lirikën e tij, lejohem të sjell një obiekt kundërshtimi në bisedim. Si pas principit të lirizmës të cilin e parashtrova më lart, për shkronjësin e këtyre fjalëve poezitë e bukura lirike të Fishtës me një përjashtim minimal fragmentesh nuk janë kurrsesi ato që paraqiten si të konsakruara prej skolastikës s’onë zakonore, për shëmbëll nër librat dhe tekstet zyrtare të shkollës – të cilësuara si të tilla pa asnjë kriter estetik; nuk është as forma, as metrika, as retorika e përsosur, që kanë të bëjnë me regulla ose regullore stili tradicionale; sepse për ne forma quhet formalitet, metrika prosodi dhe silabizmë, dhe retorika emfazë gojëtarije që s’kanë asnjë të përpjekur me esencën, siç kujtuam, të poezisë lirike së vërtetë. Esenca e poezisë lirike është muzika shpirtërore, dhe muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror, dhe tonin shpirtëror e bën drithma shpirtërore, lëkundja, tronditja shpirtërore – kurse tronditjen shpirtërore, domethënë, me një fjalë neologjije, emocionin shpirtëror e bën as më shumë as më pak përveç se frymëzimi i brëndshëm poetik i cili duket dhe ndjehet dhe kuptohet prej vetiu dhe drejt-për-drejt në transfigurimin emocional të idesë ose ndjenjës ose pamjes aktuale të poetit. Këto i shkruaj në themelin e vërrejtjes plot dashuri të një së vërtete shpirtërore, të asaj që, pjesërisht, them se kam gëzimin të ndjej dhe unë si punëtor i thjeshtë po i etuar për art dhe harmoni në çaset kur më këndon shpirti; kjo e vërtetë kuptohet vetëm nga një pjesë e fisit njerëzor, pikërisht nga ajo e cila është pajosur prej nature dhe është edukuar prej lëçitjes dhe studimit me ndjenja poetike, me mundësinë e shijimit artistik të brëndshëm. Të tjerët – profesorë, didaktë, eruditër, theorikas, mundohen me vëzhgimet e tyre voluminoze mi poezinë, të themeluara në methudhën shkatërronjëse të analizës, të kuptojnë dhe të kapin sadopak një të-njëmijtën pjesë nga vlera poetike e vërtetë e një vepre dyke patur si përfundim kapjen e vetëm të një së-miliontës pjesë të saj. Sepse kapjen esenciale e ka vetëm poeti si dhe ay numur i paktë i të iniciuarve me shijen letrare ose poetike.
xxx
A e ka Fishta pra këtë cilësi primordiale të poezisë, muzikën e shpirtit, transfigurimin poetik, metafizikën e harmonisë së krijimit poetik e cila quhet lirizmë? Një fantazi aq fluturonjëse prej epiku vetëkuptohet se duhet të ketë përkrahu dhe një hov të zemrës me rëgëtimë lirike, veç që në këtë rast kjo gjindet nër të tjera subiekte dhe me të tjera kritere sesa ato të konsakruara si zakonërisht prej didakticizmës së thatë tradicionale. Dhe ja sesi: dyke invokuar në vënd të Lahutës ndihmën e Orës së tij së mirë, dy-fish e bën poeti lutjen e tij: Më një anë ay kërkon dhuratën e ëmbëlsisë, të butësisë, më tjetrën anë atë të fuqisë dhe rreptësisë së fjalës poetike: T’ bajsh qi fjala: e butë herherë Si njaj flladi në Prendverë: Tash e fortë, e rrebtë, dërmuese, Si duhija shungulluese… (Kënga XXVI) Kështu: butësi dhe forcë, jo tjetër. Pse? Sepse kjo ka lidhje me esencën e gjithë poezisë së Fishtës, të gjithë krijimit të tij poetik, epizmë ose lirizmë ose dramatizmë qoftë. Sepse esenca, natura e fellë e poezisë rrëfenjëse ose këndonjëse ose vepëronjëse e tij është puthosur me tokën dhe vëndin, me zemrën dhe frymën e popullit shqiptar prej gjirit të të cilit ay doli, dua të them u shkëput sikundër shkëputet një copë prej një tërësije. Është prodhimi i mëndësisë dhe i ndjenjësisë çquarësisht shqiptare. Dhe mëndësija shqiptare është, në bërthamën e saj, një realizmë e rëndë, një mendim i lëndëshëm, i prekurshëm, një filozofi shikimi që lidhet dhe çfaqet gjithnjë me atitudën e naturës rrethonjëse. Ajo rrjeth nevojërisht nga realiteti i math, nga qëndra e elementit fizik të jetës dhe të rrojtjes. Baza ndërtonjëse e mëndësisë, e ndjenjësisë shqiptare është realiste, çkëlqimërisht realiste. Edhe koncepcionet, idetë, ndjenjat, përfytyrimet, edhe stili, frazeologjia, mënyrat, shprehjet, fjalët e Fishtës janë ashtu: realiste. Ay nuk shikon, nuk krijon përveç se brenda realitetit, përveç se me mjetin dhe ndihmën dhe ndërhyrjen e elementeve reale, realiste të ekzistencës. Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta, është koncepuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës. Dhe mi këtë na tërheq vërrejtjen në Lahutë drejt-për-së-drejti Fishta vetë, me një të thënë të kristalizuar në popull që është si një simbol i elementaritetit artistik të tij: Pse edhè i moçmi ‘i fjalë kuvendi: Lufton vendi e jo Kelmendi. (Kënga XXII) Ose, më mirë, me një shprehje të stilit të tij, të dalë dhe të përforcuar nga shëmbëlla e mësipërme: Lamsh ba gjindja n’ at log Zanash/ Si gjarpijn zgavrra muranash/ E thue lè s’kishin prej nanash/ Veç se toket t’ zezë shpërthye. (Te Ura e Sutjeskës) Kështu, e mbrujtur prej lëndës shqiptare: substanciale, realiste fund-e-krejt, kish për të dalë kënga e Fishtës, me një gjuhë që të ngop/ që është gjuha mashkull e Zotërve të Shqipërisë: Ka me dalë kanga dikur/ E kahdo qi shqypja t’ flitet – Kjo e mashkulla giuhë hyjnish- Ka me u kndue nder burra t’ dheut. (Zana e Vizitorit) Në këtë gjuhë mashkull, me të cilën është ndërtuar dyke hedhur gur përmi gur dhe shkëmb përmi shkëmb stili elementar i Fishtës, ay pat shprehur një ton të ri të zemrës i cili, me valën kur e kur minore, të përgazëshme ose hirplote, qëndron si në diskordancë kundrejt karakterit përgjithësisht të rreptë të poezisë së tij. Me një butësi dhe njomësi fjalësh, me një tingëll këngëtor, ay na ka shfaqur rëgëtimën e fshehtë për ne të ëngjëjvet fluturakë që e rrethonin, dyke i-a prekur me gishtërinj prej rezesh djelli, ndonëse rrallë, gamën e kordhëzave të holla të lirës. Dhe këtë butësi dhe njomësi gjithnjë të shfaqur me fjalën plot, me pamjen reale, me fytyrat konkrete që shihen me sy dhe preken me dorë: Vasha e Nazaretit vjen lart prej shkretëtire ndaj Jordanin, dyke lëshuar përqark hiret e saj të perëndishme. Një krahasim i vetëm, fizik, na fut çuditërisht në këtë atmosferë qiellore: Ngjitej pervujtë, si fjolla e tymit t’ kemit; (Gurrave të Jordanit) ose na jep soditjen e fshehtësirës së natës me yje: E ju, dhe, hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit Përmallshim tuj fërfllue me dritë t’kullueme, Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ mirit; (Nji gjamë desprimit!…) ose më tej harmoninë e fluturimit: Edhè t’ Mirat çue flauri, Kanë rrahë flatrat nper ajri E sa bredhë aj jehi i zanit, I a kan behë mbi bjeshkë t’Trojanit; (Zana e Vizitorit) dhe më tutje, drithmën e ëmbël të tingujve: Si prej s’ largut nji kumë lire Amel ndiehet kuer t’ jetë errun, Qi tuj shkue nper hapesire Dalë-kadalë vjen tuj u djerrun. (Nuncjata) Se ç’efekte tonaliteti të ëmbël shpirtëror Fishta nxjerr prej krahasimeve realiste, del në sy më mirë nga shëmbëlla tipike më e bukur dhe më e përsëritur prej tij, atje ku e përngjet flamurin kombëtar me krahun e Ëngjëllit të Zotit ose me një pjesë të robes së Perëndisë: Porsi fleta e Ëngllit t’ Zotit Po rreh Flamuri i Shqypnis; (Hymni i flamurit komtar) Përsè flamri kuq e zi, Sod ma s’ pari, bukuri, Porsi fleta e Ëngjllit t’ Zotit, Po valvitë mbi tokë t’ Kastrjotit; (Lahuta, XXX) Nisë me u valvitë si fleta e Kerubimit, Si njaj skundilli i petkut t’ Perëndis; (“In hoc signo vinces”) M’ kamë Sokola të Shqypnis! Flamri i jonë, qe, n’ ajr po shtjellet Si pol veshet t’ Perëndis Kah na ban hije prej qiellet. (Hymni i fl. k.) Sinonime janë për poetin dhe me të për neve, sinonime në këtë muzikë dashurije të krahasimeve të tija, Flamuri ose gjuha Shqipe, e cila riprodhon mi dhè tingëllin e fluturimeve qiellore: Edhe ndiehet tuj kumue, Porsi fleta e Kerubimit. (Giuha Shqype) Nga këto fytyra duket, si një fjalë ose shprehje realiteti, ka fuqi të transformojë gjithë vargun dhe strofën në emocion artistik të stërhollë. Shpiegimet përkatëse ndihmojnë për një kuptim dhe shijim të tyre. Ato i shërbejnë mëndjes profane, të painiciuarve në tempullin e artit. Po zemra që di të ndjejë vetë, dhe veshi që di të dëgjojë vetë magjinë poetike nër tingujt e saj, syri që di të shohë vetë shfaqjet dhe pamjet e çkëputura drejt-për-drejt prej naturës për të na reveluar metafizikën e artit të poetit që quhet lirizmë – ajo zemër dhe ay vesh dhe ay sy më s’kanë, tashi, për ç’nevojë t’a duan shpiegimin estetik ose filologjik, sepse tashi poeti sjell njërën pas tjetrës të radhosura me shumicë, me tepërim gjithë fytyrat e elementit konkret të realitetit që përdor në atelierin e tij. Dhe kësisoj harrin të derdhi, përmjet atij elementariteti, një poezi me ton lirik të përplotë: Në botë lind Mëma e Zotit; ç’far bëjnë Lajmëtarët qiellorë? Ata thurrin këtë kurorë harmonije kozmike: Ejët at herë marrin fluturimin Kupa e qiellës ma e ndeztë kahë kthiellet, E, si pasë e kishin msimin, Dymdhetë hyj shkepin prej qiellet, Per me ndreqë me ta nji keze Të tanë dritë e të tanë rreze. (Të lemt e Zojës) Me këto fjalë pra të këputura, të çkëputura si një copë nga realiteti i gjallë, dhe me këtë stil substancial që rrjeth prej tyre, poeti ndërton lirizmën e tij më të lartë, më të përsosur, të nuancuar si pas efektit dhe motivit poetik që na parashtron: po zgjeth nga Lahuta për lëçitësin me shije letrare shëmbëllat e mëposhtme, që më duket se i përgjigjen estetikërisht më mirë dhe më bukur bisedimit t’onë: T’ paçim, Orë, sa gjith kto male! Mori e mbrumja me voesë qiellit, Mori e njeshmja me gjeth lilit, Mirë shartue me rreze t’ diellit: Qi m’a kè synin si hyll, Qi m’a çilë e qi m’a mbyllë Si ajo hana neper pyllë… Zana e Vizitorit Veç ndigjoni, oj Orë e Zana, Se me zanë due bèt e mdhana: Pasha rrezet qi lshon hana! Pasha voesen mbi ledina! Pasha brej, aha e çetina! E per mriza e qepariza! E per gurra neper curra! E per lila e per bylbyla! Pasha t’ rijt e pasha veren! Mos e pritsha kur prendveren! (Zana e Vizitorit) Tringa Ardhun shtatit si “breshana”, Synin hyll, ballin si hana, Dishka njethë si molla m’rrem, Si ajo lulja shperthye m’ gem: Qi ke dalë m’ ka ashtu te dera, Sikur ban me çilë prendvera; Sikur ban dielli me dalë Neper aha, brej e halë… Se per lila e karajfila, Per zymyla e per bylbyla, E per gurra neper curra: P’ r ato hije neper vrrije, P’ r ato flutra neper zalle: Pasha Orë e Shtozovalle, Pasha t’ rijt e pasha veren, Per sa bjeshkë e lule bleren, Ma fisnike ‘i vashë s’ e kè. (Tringa) Hej, moj Zanë, ty t’ kjosha true, Si s’ po t’ bje nder mend per mue, Kangë e valle me m’ fillue; Por më rrin tue fluturue Mollë më mollë e ftue më ftue Me ato shoqe tue vallzue Nper ledina e nper rudina, Np’ r ata brej, aha e çetina, Ku ban çerdhen gjeraçina, Bulon molla e lulzon thana E prijn valle Orë e Zana Neper rreze qi lshon hana. Ardhun shtatit si “breshana” Rreze diellit dora e llana, Ftyra shtrue n’ fletë t’ drandofillit, Kama matë per gjeth të lilit, Shartue zani m’ za t’ bylbylit, Dishka borë e dishka brymë Si njaj hylli me ferfllimë… (Koha e Rè) Këtu e ka vëndin, dhe nër radhët më të para, ay fillim aq i bukur i odës Giuha Shqype, një nga shëmbëllat e pamjaftuarshme sepse të pakta dhe të rralla (tepër fort të pakta, tepër fort të rralla) të librave shkollore, që është thirrur të mbrujë shijen letrare të risisë dhe të brezit intelektual shqiptar: Porsi kanga e zogut t’ veres, Qi vallzon n’ blerim të Prillit; Porsi i amli flladi i eres, Qi lmon gjit e drandofillit: Porsi vala e bregut t’ detit, Porsi gjama e rrfès zhgjetare, Porsi ushtima e një termetit Njashtu a giuha e jonë shqyptare. Ah! po a e amel fjala e sajë, Porsi gjumi m’ nji kerthi, Porsi drita plot uzdajë, Porsi gazi i pa mashtri; Edhe ndiehet tuj kumue, Porsi fleta e Kerubimit Ka i bjen qiellve tu’ flutrue N’ t’ zjartat valle t’ ameshimit. Citimet dhe fragmentet e mësipërme, të ngjizura siç thamë me përdorimin e fytyrave reale, kanë një ton më shumë ose më pak minor, na zbulojnë një notë njomësije, një ngjyrë të hijëshme, na hapin një kënd të përzemërt, plot ëmbëlsi, të ndjenjës së Fishtës. Dhe duhet të jetë për neve një habitje fakti se këto realizime nuancash të stërholla shpirtërore ngjasin brenda sistemit të termave naturale të gjuhës, se me fjalët me konkrete, më lëndore, na çfaqet një anë e papandehur e shpirtit të poetit- ana e tij melodioze, pjesa këndonjëse, përqindja e vogël sepse e rrallë e ndjenjësisë së tij si të theshin mallëngjenjëse, romantike, krahalehtë. Po ana e vërtetë, e rëndë, e stilit të Fishtës, pjesa me të vërtet Fishtore që domethënë forcë dhe fuqi dhe energji dhe naturë e pandryshuar, realitet tokësor dhe dinamizmë titanike e poezisë së tij, ajo anë që e qojta mbesoj me përshtatësi dyke përdorur shprehjen shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ajo përbën sasinë e madhe, që i përmbyt të gjitha, të veprës së tij siç është çfaqur kryesisht në Lahutën e Malsis. Dhe pikërisht në Lahutë gjinden shëmbëllat më të bukura të gjithë këtij stili, të këtij stili të rëndë, të dhèshmë, shkëmbor, të këtij elementariteti poetik, siç i thamë stilit të Fishtës, qoftë epik ose lirik ose çfarëdo tjetër, në radhët e mësipërme t’onat. Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipëri, ky është urdhëri i çasit, dhe i ditës, dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi nër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës: Bini, Toskë, ju, bini Gegë! Si dy rrfè, qi shkojën tuj djegë! (Hymni i fl. k.) Ku themra e jote per Atdhè të shklase, Atje kryet t’onë, po, per Atdhè t’ humase! Urra! po, djelm! Shqyptar kushdo ka lè, N’mos mujtët Shqyptar me metë, Shqyptar t’hijë n’dhè (Surgite, mortuc!) Efektet më tipike të këti lloj stili, që shpesh na përheth në sy realitetin e tmerrshëm, i jep siç thamë në çdo rast Lahuta, në të cilën lindi ay stil njëkohësisht me lindjen e njerëzve telurikë të saj: Njerz të lèm, po, me armë në dorë, Regj në diell, cangllue në borë, Të cillt per nen drrasë t’ krahnorit Kan per zemër ka ‘i gur vorrit! (Kënga XXII) Mbesoj se këtu nuk do të ishte dhe krejt pa vënd të shpjemë vërrejtjen mi të ashtuqojturat kakofoni të Fishtës, të cilave, përveç frymës së gjuhës, i-u reklamon justifikimin dhe nevoja e artit hije-ashpër të tij. Vetëm kështu na i merr mëndja fonologjitë e mëposhtme, që s’i ka pranuar për shëmbëll stili i Koliqit: Na kan pasë thanë q’ n’ fmini; Shndosh n’ p’ r ‘imi rreziqe m’ qet; Nen strehë t’ t’ cillit nper kaçuba; Doret nder t’ vshtira s’ m’ lshoi; M’ t’ kthielltat kala; N’ pushtet t’ t’ cillit deka kje perkulun; Trok m’ trok m’ t’ katrat tue i ra podit. Po tashi, më në fund, vjen si kompensim antipoli i këtyre veçanërive kakofonike, të transpozuara, tashi, në një harmoni energjije, në muzikën sui generis të stilit artistik të Fishtës, një muzikë e akcidentuar plot fjalë të realitetit, plot fytyra të naturës, plot shprehje dhe krahasime të fizikës dhe të tokës, dhe që është origjinaliteti më i bukur i tij, realizimi më i vetëkuptimshëm i fjalorit epiko-lirik shqiptar: Por ç’ kan malet qi po ushtojn? Por ç’ kan prrojet qi gjimojn? Shka vran vetllat Mark Milani? Thonë ka msy Rrushman Hasani! Njeky Rrushi, ‘i shpatë e gjallë, Dredhun shallin rreth per ballë, Vjerrë “martinen” per nen krah, Kthelltë kuburet rrasë n’ sylah, Edhe priçet mbathë per kamë, Per mnderë tue kercmue me dhamë, Tue lurue, tue turfullue Si kulshedra neper kneta, Ka lshue turrin mbi do çeta, Mbi do çeta t’ Malit t’ Zi, Thue se gjallë do me i perpi. (Lahuta e Malsis- Lekët) Por s’ perpij, besa, Omeri, Qi po isht’ kenë nji ari Peshteri Hijen por m’ i a drashtun njeri. Kryet e tij t’ tanë gunga-gunga, Vetllat strehë porsi dy shllunga, Me nji parë mustakë të zez, Qi me i mrijtë, po, dèr më brez: Edhè shtatit ardhë viga, Pergjakë sysh si katalla, Kishte pasë llanen e krahit, Thue, po isht’ kenë nji degë prej ahit, Të tanë lesh e toje-toje… Veç, një rrahit t’ reptë tue ra, Qe po i del para nji Shkja, Hokubèt me sy me u pa, Kryet e tij, po, me mrrijtë m’ tra, Të tanë kodra e të tanë neje: Derdhë musteqet teje-teje, Si dy bishta deshsh galana: Cupi i krahit sa murana: Mashkull qerrit ishte llana: Çelik ndoset giuni e kama, Me t’ thanë mendja se ‘i pendë buej Atë vendit s’ mund t’a luej. Betèr shtatit sa ‘i mullar, Kerleshë ftyrës, ngerthye kular, T’ hue, per t’ gjallë do me t’ ba gjamen. Por shka kndon njaj zog i zi N’ ato llugje mi Gusi, Kah flutron selvi m’ selvi? “Amanet, o fushë e male, Shueni vallet per me kja, Se n’ Krasniqe ‘i kob ka ra: Smajl Arifi, thonë, asht vra N’ at Sutjeskë t’ u gjuejtë me Shkja! Shum do t’ bajë e ama medèt, Kur të ndiej se Smajli met, Se met Smajli, aj farë viganit; Balli i tij nji fushë mejdanit, Syni i tij agzot havanit, Shtati ardhë si shti bajrakut, Vesh e m’ vesh dega e mustakut. (Te Ura e Sutjeskës) Vaja e Llesh Nikë Dakës Kur ka dekë e ka marue Dalë ka aty fisnikja e dheut: Me dorë ballin ç’ po e vajton: T’ janë mledhë miqtë prej s’ dij se Khahit: Pse m’ rri shtri si dru prej ahit? Çou nji herë, per me ligjrue; Çou, djelmnin per me trimnue! Folja ‘i fjalë babës Nikë t’ motnue. Ty nuk t’ tremi gjylja e topit, Nuk t’ ligshtoi duhmja e barotit, Kur mbi turq msyne rrfè motit; Por, kur ndeshe në tue vllazen, Shum bataren mbi ty shprazen: Ata s’ t’ vran, por zemren t’ plasen! (Dedë Gjo’ Luli) Me gjith që çdo koment, pas sa u tha më sipër, është i tepëruar, nuk më vjen të ri pa relevuar me një shënim këtë Vajë të fundit e cila, me frymëzimin e saj spontan, me vajtjen shkallore të pasionit, me stilin e thjeshtë, natural dhe të xhveshur krejtësisht nga çdo hije retorike, dhe, veçanërisht, me kulmimin estetik në fund të gjithë përfytyrimeve, më ngjan se na paraqitet si më i bukuri sepse m’ i përsosuri fragment në kuadrin e themës s’onë. Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombin- anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: … fundi i fundit, dhè Kombi ka të drejta mi mua”
Lasgush Poradeci Tiranë,
17 Mars 1941-XIX.
* Titulli origjinal. GJERGJ FISHTA LIRIK, SHKËMB I TOKËS DHE SHKËMB I SHPIRTIT SHQIPTAR