Gjermani, arrihet marrëveshja për koalicionin qeveritar
Agjencia gjermane e lajmeve DPA raporton se partnerët potencial për Qeverinë e re të Gjermanisë sot arritën marrëveshje për koalicionin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e publikuar sot në të cilin citohen burime të paemëruara, theksohet se Unioni Kristian Demokratik i Angela Merkel dhe partia e saj simotër Unioni Kristian Social në negociatat me Partinë Socialdemokratike kanë arritur marrëveshje në aspektin e ndarjes së ministrive, duke kaluar mospajtimet e fundit. Shtohet se pas negociatave palët arritën marrëveshje.
Ndërkohë media të ndryshme njoftojnë se socialdemokratët do të marrin tre poste të rëndësishme ministrore, atë të Ministrisë së Jashtme, Ministrinë e Financave, që deri më tani e kanë drejtuar konservatorët, dhe atë të Punës. Ndërsa kristiansocialët do të marrin Ministrinë e Brendshme, ku ministër pritet të bëhet kreu i partisë, Horst Seehofer. Konservatorët e CDU do të marrin përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe të Mbrojtjes. Megjithatë para krijimit të qeverisë pritet vota e bazës socialdemokrate që nuk është shumë entuziaste për një koalicion të ri me CDU e CSU.
Marrëveshja tani do të dërgohet të votohet në anëtarësinë e Partisë Socialdemokratike e cila numëron më shumë se 460.000 persona, që mund të zgjasë me javë.
Zgjedhjet parlamentare në Gjermani u mbajtën më 24 shtator, ndërsa që nga atëherë janë zhvilluar negociata të vështira mes palëve për formimin e Qeverisë së re.
Ekonomia më e fuqishme evropiane më shumë se katër muaj ka qenë pa Qeveri, që është periudha më e gjatë në historinë e Gjermanisë moderne.