GJERMANI – BFV: Kërcënimi rus do të vazhdojë edhe në rast paqeje në Ukrainë
BERLIN, 12 tetor /ATSH-AFP/ – Kreu i agjencisë së inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, BFV, ka deklaruar se agresioni i Rusisë ndaj Evropës dhe Gjermanisë është i qëndrueshëm dhe i pavarur nga kohëzgjatja e luftës në Ukrainë, ndërsa Moska kërkon të riformësojë peizazhin gjeopolitik në Evropë.
“Sulmet do të vazhdojnë”, tha Sinan Sellen, i cili drejton BFV-në.
Ky shërbim inteligjence ia atribuon Moskës operacione të shumta sabotimi, dezinformimi dhe spiunazhi.
Këto përfshijnë, në veçanti, një tentativë sulmi me dron shpërthyes kundër një aeroplani ukrainas në Lajpcig këtë verë.
”Evropianët nuk duhet të bëjnë gabimin të besojnë se fundi i luftës në Ukrainë një ditë do të thotë fundi i kërcënimit rus”, këmbënguli ai në një konferencë në Berlin.
“Për Rusinë, objektivi është një hartëzim i ri dhe i plotë i Evropës dhe rolit të saj brenda Evropës dhe gjeopolitikës. Kërcënimi hibrid rus është real dhe është shkëputur prej kohësh nga situata në Ukrainë”, theksoi ai.
Përballë sulmeve që i atribuohen Rusisë dhe ngritjes së AfD-së, një partie pro ruse dhe e ekstremit të djathtë, qeveria gjermane dhe shërbimet e saj të inteligjencës po përpiqen të theksojnë urgjencën e rrezikut që paraqet Kremlini, në mënyrë që të mbrojnë shpenzimet e saj të rritura ushtarake dhe mbështetjen e saj për Kievin.
Edhe para se të pushtonte Ukrainën, presidenti rus, Vladimir Putin kërkonte që NATO të tërhiqej nga një pjesë e madhe e Evropës Lindore, duke e parë Aleancën Atlantike si një kërcënim ekzistencial./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.