GJERMANI – “Deutsche Bank” në një skandal të ri pas publikimit të një sasie të jashtëzakonshme dokumentesh
FRANKFURT, 17 nëntor /ATSH-ANSA/– “Deutsche Bank” është përfshirë në një skandal të ri pas publikimit të një sasie të jashtëzakonshme dokumentesh të brendshme, të cilat hedhin dritë mbi praktika të diskutueshme biznesi, mangësi në kontrollet e brendshme dhe marrëdhëniet e bankës me klientë të fuqishëm, përfshirë oligarkë rusë, financierin Jeffrey Epstein dhe presidentin amerikan, Donald Trump.
Ministri gjerman i Financave dhe zëvendëskancelari, Lars Klingbeil, i ka kërkuar bankës të japë shpjegime të plota dhe transparente.
Ai deklaroi se “Deutsche Bank” ka përgjegjësinë të sqarojë se si ka korrigjuar mangësitë e mëparshme në sistemin e kontrollit dhe çfarë masash do të marrë për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Sipas hetimit të publikuar nga revista gjermane “Der Spiegel” në bashkëpunim me “Manager Magazin”, televizionin ZDF dhe media ndërkombëtare, janë analizuar më shumë se 15 milionë dokumente të brendshme, përfshirë mbi 9 milionë email-e, raporte, prezantime dhe regjistrime kalendarike.
Dokumentet zbulojnë se paralajmërimet dhe shqetësimet e punonjësve për klientë dhe operacione të diskutueshme shpesh janë shpërfillur për të vazhduar marrëdhëniet tregtare.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me marrëdhëniet e “Deutsche Bank” me oligarkët rusë dhe planet për zgjerimin e aktivitetit në Rusi edhe pak para fillimit të luftës në Ukrainë, pavarësisht shqetësimeve të departamenteve të përputhshmërisë dhe kontrollit të rrezikut.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu detaje të reja mbi marrëdhëniet e biznesit me Jeffrey Epstein dhe operacionet financiare që lidhen me Donald Trump.
Edhe “Financial Times”, i cili ka analizuar dokumentet në bashkëpunim me më shumë se 200 gazetarë nga vende të ndryshme, raporton për probleme sistematike, mangësi në menaxhim dhe dyshime për manipulime kontabël e komunikime financiare potencialisht çorientuese.
Hetimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi drejtimin e bankës nga Christian Sewing, i cili mori detyrën e drejtorit ekzekutiv në vitin 2018 dhe është vlerësuar për rikthimin e institucionit drejt përfitueshmërisë.
Nga ana e saj, “Deutsche Bank” i ka kundërshtuar interpretimet kritike, duke argumentuar se çështjet e publikuara lidhen me ngjarje të shumë viteve më parë, në disa raste edhe dy dekada më parë.
Banka thekson se gjatë periudhës 2019–2025 ka investuar 7 miliardë euro në përmirësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, forcimin e menaxhimit të rrezikut dhe ndryshimin e kulturës institucionale. Sipas saj, nën drejtimin e Christian Sewing, banka ka kaluar një transformim të thellë dhe sot është më e fortë, më e sigurt dhe financiarisht më e qëndrueshme. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.