GJERMANI – Kërkesat për azil rriten, por vijon tendenca e rënies afatgjatë
– Numri i personave që paraqitën për herë të parë kërkesë për azil në Gjermani u rrit në shtator krahasuar me muajin e mëparshëm, por tendenca e përgjithshme e rënies afatgjatë vazhdoi, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane.
”Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) regjistroi 5 276 kërkesa të para për azil gjatë muajit të kaluar”, tha një zëdhënëse e ministrisë.
Shifra ishte 40% më e ulët se në shtator të vitit të kaluar dhe 70% më e ulët se në shtator 2024.
“Rënia e ndjeshme e numrit të kërkesave për azil tregon se masat tona në nivel kombëtar dhe evropian po japin rezultate”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.
Sipas tij, Bashkimi Evropian po vijon përpjekjet për reformimin e sistemit të azilit, përfshirë një mekanizëm reagimi ndaj krizave që synon mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së nga flukse të mëdha emigrantësh, një forcë reagimi të shpejtë të agjencisë evropiane të kufijve Frontex dhe procedura të përshpejtuara në kufij.
Pas rreth 5 550 kërkesash të para për azil në maj, numri ra më tej, me më pak se 4 000 kërkesa të regjistruara si në korrik, ashtu edhe në gusht.
Rritja e kërkesave për azil të paraqitura sërish gjatë muajve të fundit nga persona që jetojnë prej kohësh në Gjermani lidhet me një vendim të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian në tetor 2024 për Afganistanin.
Gjykata përcaktoi se gratë nga Afganistani, ku pushteti është rikthyer te talebanët që nga viti 2021, përgjithësisht kanë të drejtë të marrin mbrojtje. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.