GJERMANI – Mbi 160 mijë të rinj pritet të protestojnë në dhjetëra qytete kundër kostos së jetesës dhe shërbimit ushtarak
– Mbi 160 mijë persona pritet të marrin pjesë sot në demonstratat e organizuara në 34 qytete të Gjermanisë, në kuadër të një lëvizjeje të drejtuar nga të rinjtë, e njohur si “Gen Z regelt”.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, pjesëmarrësit kërkojnë më shumë investime në arsim, masa për uljen e kostos së jetesës dhe kundërshtojnë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Lëvizja pretendon se shqetësimet e brezit të ri, nuk po merren parasysh nga qeveria, ndërsa organizatorët kërkojnë më shumë fonde për shkollat dhe universitetet, si dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Demonstratat janë planifikuar në qytete të mëdha, përfshirë Berlinin, Hamburgun, Këlnin, Frankfurtin dhe Mynihun.
Autoritetet gjermane po monitorojnë situatën nga frika se grupe ekstremiste mund të përpiqen të shfrytëzojnë tubimet për të nxitur dhunë.
Megjithatë, Ministria e Brendshme ka deklaruar se deri tani nuk ka të dhëna konkrete për thirrje për dhunë apo për përgatitje të trazirave.
Organizatorët janë distancuar nga çdo formë dhune dhe kanë theksuar se tubimet synojnë të zhvillohen në mënyrë paqësore.
Në Berlin, disa biznese kanë vendosur mbrojtëse në vitrinat e dyqaneve ose kanë planifikuar të mbyllen më herët, për shkak të shqetësimeve për incidente të mundshme.
Lëvizja në Gjermani vjen në një kohë kur demonstratat e të rinjve janë përhapur në disa vende evropiane, ku pakënaqësitë lidhen me rritjen e çmimeve, mungesën e perspektivës dhe politikat qeveritare. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.