TURQI – Erdogan pret Zelensky në Stamboll, diskutime për përfundimin e luftës në Ukrainë
STAMBOLL, 31 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare pune në Turqi, ku do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në qendër të bisedimeve do të jenë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, siguria në Detin e Zi dhe përpjekjet diplomatike për rifillimin e negociatave të paqes.
Vizita zhvillohet me ftesë të presidentit Erdogan, ndërsa lajmi u bë i ditur nga drejtori i Komunikimit i Presidencës turke, Burhanettin Duran.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Duran bëri të ditur se dy presidentët do të diskutojnë për hapat që mund të ndërmerren për të forcuar më tej bashkëpunimin mes Turqisë dhe Ukrainës, si dhe për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Çështjet kryesore të takimit do të jenë lufta Rusi-Ukrainë dhe situata e sigurisë në Detin e Zi.
Zelensky: Në nëntor presim rifillimin e negociatave
Presidenti ukrainas e cilësoi vizitën në Turqi si pjesë të rëndësishme të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila vijon prej më shumë se katër vitesh.
Në një videomesazh të publikuar dje në mbrëmje, Zelensky deklaroi se Ukraina po punon për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
“Negociata të rëndësishme do të zhvillohen në Turqi. Po punojmë gjithashtu për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë diplomatike në dispozicion. Në nëntor presim të ecim drejt formateve që janë diskutuar prej kohësh”, deklaroi ai.
Zelensky shprehu gjithashtu besimin që një takim trepalësh mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të zhvillohet në Abu Dabi, në periudhën 6–10 nëntor.
Kievi kërkon gjithashtu që Evropa të përfshihet në diskutimet për përfundimin e luftës.
Turqia kërkon ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare
Një tjetër çështje e rëndësishme e takimit pritet të jetë siguria në Detin e Zi, ku sulmet ndaj anijeve tregtare kanë shtuar shqetësimet e Ankarasë.
Turqia, e cila mban marrëdhënie me Moskën dhe Kievin, ka shprehur kundërshtimin ndaj sulmeve që rrezikojnë transportin detar dhe tregtinë në rajon.
Presidenti Erdogan i ka cilësuar të papranueshme sulmet ndaj anijeve tregtare dhe ka kërkuar që palët të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm.
Ankaraja ka propozuar gjithashtu një marrëveshje për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve civile, duke synuar zgjerimin e mekanizmit të mëparshëm që garantonte eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi.
Marrëveshja e grurit, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në vitin 2022, mundësoi transportin detar të produkteve bujqësore ukrainase, përpara se Rusia të tërhiqej nga marrëveshja në vitin 2023.
Turqia ka pritur disa raunde negociatash mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas dhe ka ofruar vazhdimisht ndërmjetësimin e saj, për arritjen e një armëpushimi dhe marrëveshjeje paqeje.
Erdogan bisedoi edhe me Trump për luftën
Vizita e Zelensky vjen pas një bisede telefonike mes presidentit turk dhe presidentit amerikan, Donald Trump, të mërkurën.
Sipas Presidencës turke, Erdogan rikonfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur rifillimin e procesit diplomatik mes Moskës dhe Kievit, me synimin për t’i dhënë fund luftës përmes negociatave.
Ankaraja synon të ruajë rolin e saj si ndërmjetëse mes dy vendeve, ndërsa vazhdon të mbështesë përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.