SPANJË – Masa të shtuara sigurie pas thirrjeve për protesta të reja, policia në gatishmëri për të parandaluar trazirat
– Disa qytete të Spanjës kanë shtuar masat e sigurisë pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale për protesta të reja të lëvizjes “Blocus”, të planifikuara sot, në ditën e Halloween-it, sipas “Reuters”.
Autoritetet druhen se tubimet mund të përfundojnë në akte dhune, vandalizëm dhe grabitje, siç ndodhi më 24 tetor në Barcelonë, ku u arrestuan 132 persona, mes tyre 83 të mitur, dhe u plagosën 15 efektivë policie.
Në Barcelonë, policia ka përgatitur një operacion të posaçëm me më shumë se 300 efektivë.
Janë identifikuar tri thirrje për protesta: dy në orën 17:00, në sheshin “Plaça de Catalunya” dhe pranë Harkut të Triumfit, si dhe një tjetër në orën 20:00, në zonën e Passeig de Gràcia.
Masa të shtuara sigurie janë ndërmarrë edhe në Madrid, Valencia dhe Bilbao.
Në këto qytete, policia po monitoron thirrjet në internet, ndërsa shumë dyqane kanë mbrojtur vitrinat e tyre nga frika e dëmtimeve dhe grabitjeve.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, 10 të rinj, katër prej tyre të mitur, janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Valencia, Katalonjë, Bilbao, Tenerife dhe Malaga, nën dyshimin se nxitën përmes kanaleve të lidhura me “Blocus” akte dhune, grabitje dhe përplasje me policinë.
Ndër të arrestuarit është edhe një 20-vjeçar nga Valencia, të cilin autoritetet e konsiderojnë një nga nxitësit kryesorë të grupimit në Spanjë.
Sipas “Reuters”, i dyshuari përdorte grupe në aplikacionin “Telegram” për të koordinuar aktivitetin dhe për të shpërndarë thirrje për tubime.
Policia po heton gjithashtu mesazhet që nxisin pjesëmarrësit të përdorin maska dhe veshje të zeza, si dhe thirrjet për dëmtimin e bizneseve.
Autoritetet kanë paralajmëruar se po monitorojnë nga afër situatën për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të javës së kaluar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.