Gjermania dhe Shqipëria nënshkruajnë 6 marrëveshje financiare qeveritare
Është zhvilluar sot ceremonia e nënshkrimit të një sërë marrëveshjeve qeveritare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Në ceremoninë e nënshkrimit, të zhvilluar në njërën nga vilat qeveritare në Tiranë, kanë marrë pjesë Zëvendëskryeministri z. Niko Peleshi, Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turzimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturësz. Edmond Haxhinasto, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë z. Hellmut Hoffmann.
Në këtë ceremoni janë nënshkruar gjashtë marrëveshje, të cilat kanë të bëjnë me financimin e një sërë fushash të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, siç janë marrëveshja për “Rifinancimin e Ndërmarrjeve të vogla e të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, e cila parashikon dhënien e një huaje deri në 10 milionë Euro; Marrëveshja për bashkëpunimin financiar 2009, për projektin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit”, e cila parashikon dhënien e një huaje deri në 20 milionë Euro. Është nënshkruar gjithashtu një tjetër marrëveshje në fushën e energjisë elektrike, për financimin e projektit “Eficienca energjetike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”, e cila parashikon dhënien e një huaje drejtpërdrejt KESH sha. deri në 40 milionë Euro, të garantuar nga Qeveria Shqiptare. Termat dhe kushtet e huasë janë përcaktuar në marrëveshjen përkatëse financiare që është lidhur mes OST sha. dhe KfW, si dhe në marrëveshjen e garancisë të lidhur mes MF dhe KfW. Lidhur me projektet në fushat specifike si ato të furnizimit me ujë, është firmosur në këtë ceremoni edhe marrëveshja për projektin “Programi në sektorin e ujit/Program për furnizimin e zonave rurale me ujë III”, e cila parashikon dhënien e një granti deri në 1.5 milionë Euro. Marrëveshja përkatëse financiare është lidhur mes Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe KfW dhe po ashtu edhe marrëveshja për bashkëpunimin financiar 2011, për Projektin “Program në Ambasada Gjermane në Tiranë, Rruga Skënderbej Nr.8, Tiranë, Shqipëri http://www.tirana.diplo.de sektorin e ujit/Program për furnizimin e zonave rurale me ujë III”, që parashikon dhënien e një huaje deri në 24 milionë Euro. Në sektorin e energjisë elektrike janë firmosur tre marrëveshje financimi, nga të cilat edhe financimi i projektit “Eficienca Energjetike përmes sektorit bankar”, që parashikon dhënien e një huaje deri në 12 milionë Euro, termat dhe kushtet e huasë, të së cilës përcaktohen në marrëveshjen përkatëse financiare.
Në përfundim të nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, Ministri Shqiptar i Financave, z. Shkëlqim Cani tha se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve konfirmon edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka me Republikën Federale të Gjermanisë. “Gjermania është një partner strategjik që e ka ndihmuar Shqipërinë në vite. Prej vitit 1988 Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro – përfshirë këtu kontributin në nivel të BE-së dhe Kombeve të Bashkuara. Është investuar në fusha të ndryshme, si në zhvillimin ekonomik, në energjetikë, në infrastrukturën ujore, në arsimin dhe formimin profesional, si dhe në zhvillimin e zonave rurale dhe urbane“, -nënvizoi ministri Cani, duke konfirmuar se, për gjashtë marrëveshjet e reja, të nënshkruara sot, shuma e financimit shkon 107.5 milionë euro, nga të cilat 1.5 milionë euro janë grante dhe 106 milionë euro janë hua të marra nga Qeveria Shqiptare. Ministri Cani, në emër të Qeverisë Shqiptare, por, sikundër ai theksoi “jo vetëm të qeverisë shqiptare, por edhe të shtetasve shqiptarë që kanë ndjerë ndihmën e shtetit gjerman”, falënderoi Ambasadorin Hoffmann dhe nëpërmjet tij Republikën Federale të Gjermanisë.
Më pas ka përshëndetur ceremoninë edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann, i cili tha: “Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe bashkëpunimin gjermano-shqiptar. Pas vitesh përgatitjeje u nënshkruan sot gjashtë marrëveshje të rëndësishme të bashkëpunimit financiar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kjo krijon një atmosferë të shkëlqyer në vigjilje të vizitës së pas dy ditëve të Kancelares Federale Angela Merkel në Tiranë! Qindra mijëra shqiptarë do të përfitojnë nga këto projekte”. Ambasadori Hellmut Hoffman u bëri thirrje punonjësve të administratës shqiptare, komunave dhe qytetarëve: “Mbështetja juaj e plotë në zbatimin e programeve është e rëndësisë maksimale!”
Detaje mb marrëveshjen:
1. Prej programit „Eficienca energjitike – Programi në sektorin e transmetimit të energjisë elektrike ” (40 milionë euro) do të përfitojë rreth gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Ndërprerjet e energjisë elektrike do të jenë më të rralla, humbjet në rrjet më të pakta dhe niveli i tensionit do të jetë i pandryshueshëm. Si pasojë e rritjes së eficiencës energjitike do të reduktohen emetimet e substancave të dëmshme dhe do të përmirësohet kësisoj cilësia e ajrit.
2. Përmes programit “Eficienca energjitike përmes sektorit bankar ” (12 milionë euro) në Shqipëri vihet në funksion një instrument financiar i sektorit bankar shqiptar, i cili do të ndihmojë sipërmarrjet e vogla e të mesme, ekonomitë shtëpiake private dhe komunat të kursejnë energji.
3. Prej programit “Fuqia hidrike dhe siguria e digave në Kaskadën e Drinit” (20 milionë euro) do të përfitojë e gjithë popullsia shqiptare. Synimi i programit është rritja e sigurisë së digave veçanërisht përmes rehabilitimit të situatës së tejmbushjes në Hidrocentralin e Vaut të Dejës për të mbrojtur popullsinë nga përmbytjet. Në të njëjtën kohë mendohet të rritet eficienca e hidrocentraleve. Në kuadër të programit do të financohet ndër të tjera edhe një system dhe qendër monitorimi për Kaskadën e Drinit.
4. Në kuadër të programit „Furnizimi me ujë të pijshëm i zonave rurale III” (24 milionë euro; plus 10 milionë euro bashkëfinancim përmes BE-së) është parashikuar që në pesë vitet e ardhshme të ndërtohen impiante të reja apo rehabilitohen ato ekzistuese. Kjo do të përmirësojë situatën e furnizimit me ujë për 120.000 njerëz në mbarë Shqipërinë.
5. Në kuadër të „Masës shoqëruese për projektin e furnizimit me ujë në zonat rurale III“ (1,5 milionë euro) punonjësit e institucioneve dhe ata të sipërmarrjeve të ujësjellësave do të mbështeten me masa kualifikuese dhe sensibilizimi për të menaxhuar dhe mirëmbajtur në terma afatgjatë investimet e bëra në ndërmarrjet dhe rrjetin e ujësjellësave si dhe për të garantuar që popullsia rurale do të furnizohet në mënyrë të qëndrueshme me ujë.
6. Përmes programit “Rifinancimi i sipërmarrjeve të vogla e të mesme në zonat urbane dhe rurale II“ (10 milionë euro) do të mundësohet dhënia e kredive për institucionet financiare private. Në këtë mënyrë synohet që sipërmarrjeve të vogla e të mesme t’u ofrohen shërbime dhe mundësi më të mira kreditimi (përfshirë kreditë agrare). Kjo mbështjetje e ekonomisë private mendohet të krijojë vende të reja pune dhe mundësi të ardhurash. Të gjashta programet e zhvillimit do të realizohen prej Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, ngarkuar prej Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.