Gjermania: Rusia po kërcënon Evropën
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka zhytur Evropën në një epokë pasigurie, tha presidenti gjerman të premten, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin parashikoi një dekadë “të rrezikshme” përpara.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili i përket atij krahu të socialdemokratëve gjermanë që për një kohë të gjatë mbronin idenë e lidhjeve më të ngushta ekonomike me Moskën, tha se sulmi i 24 shkurtit i kishte shkatërruar këto shpresa.
“Kur shikojmë Rusinë e sotme, nuk ka vend për ëndrra të vjetra”, tha zoti Steinmeier, duke iu referuar ëndrrës së ish-presidentit sovjetik Mikhail Gorbachev për një “shtëpi të përbashkët evropiane”.
Sipas presidentit Steinmeier, Vladimir Putini ka zhytur Gjermaninë në një periudhë pasigurie duke shuar se përpara ndodheshin vite të vështira.
Gjermania, e cila i është bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë e ka dërguar armë në Ukrainë, ka pritur më shumë se një milion refugjatë ukrainas. Ndërkohë autoritetet kanë paralajmëruar për mungesa të mundshme të energjisë këtë dimër pas reduktimit nga ana e Moskës të furnizimit me gaz rus.
Duke iu drejtuar një konference në Moskë të enjten, zoti Putin hodhi poshtë mundësinë e një përplasjeje bërthamore me Perëndimin, por akuzoi udhëheqësit perëndimorë për nxitje të luftës në Ukrainë. Sipas presidentit rus, Moska nisi atë që quan operacion të posaçëm ushtarak nisur nga dëshira e shprehur e Kievit për t’iu bashkuar NATO-s.