Gjiknuri: Nuk kam asnjë lidhje me “Habilajt”, po a mund ta besojë njeri Berishën-pinokun dixhital
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka reaguar ditën e sotme, pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, se ai është fotografuar duke marrë lekë nga grupi i trafikantëve ‘Habilaj’ për të blerë vota.
Përmes një statusi në profilin e tij në ‘Facebook’, Gjiknuri thotë se nuk i njeh dhe nuk ka pasur asnjëherë lidhje me Habilajt.
Po ashtu, ai ka akuzuar Berishën, se duke përdorur qytetarin dixhital, po shpif dhe sajon lidhje imagjinare mes morisë së fotografive në takimet elektorale me mijëra qytetarë të Qarkut të Vlorës.
“A mund ta besojë njeri pinokun dixhital, atë që nuk njihte as baxhanakun e tij dhe nuk e dinte as ku i binte Gërdeci?! Habilajt nuk i njoh e as nuk kam patur kurrë marrëdhënie me ta.
Fati i keq i shpifësit dixhital që po detyrohet të sajojë e kërkojë lidhje imagjinare mes morisë së fotografive në takimet elektorale me mijëra qytetarë të Qarkut të Vlorës.”, -thotë Gjiknuri.
Por, në fakt nëse lexohet me kujdes nëpër rreshta, duket se ministri i druhet një fotoje të mundshme që ai mund të ketë me ndonjë prej pjesëtarëve të familjes Habilaj, gjatë fushatës elektorale të vitit 2017.
Megjithatë, ai është kujdesur të lë të nënkuptojë se nëse ka foto të tilla, nuk mundet të mbajë përgjegjësi pasi nuk i ka njohur, dhe mund të jetë takuar rastësisht, siç është takuar me shumë vlonjatë.
Prej disa ditësh, përveç lidhjes me ish-ministrin Saimir Tahiri, që sipas prokurorisë ka ndihmuar grupin e Habilajve për të trafikuar drogë drejt Italisë, në media është folur se me ta ka lidhje edhe një ministër i qeverisë Rama, duke aluduar për Gjiknurin.