Gjithë fantazitë për ndëshkimin e Veliajt, në pritje të sqarimeve
Nga Mero Baze
Familjarët e Erion Veliajt thonë se, pas transferimit të papritur dhe të paarsyetuar nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, ai është futur në një regjim izolimi dhjetëditor.
Nuk ka ende një konfirmim zyrtar për këtë, por nëse është e vërtet, ky është një kapërcim ligjor i pajustifikuar dhe tregon një tendencë të qartë për ndëshkim ndaj tij, tanimë jo nga dy prokurorët që e kanë marrë nga zyra dhe e mbajnë prej gati dy vjetësh në paraburgim, por nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila varet nga Ministria e Drejtësisë dhe Kryeministri i vendit.
Ky akt është një penalizim ndaj tij, pasi, duke qenë babai i dy fëmijëve, nevoja për t’i takuar ata rrit shumë shkallën e vështirësisë së udhëtimit me dy fëmijë të vegjël deri në Fier, duke krijuar një traumë tjetër për familjen. Prandaj, ky lajmi për izolimin e gjatë është diçka që duhet verifikuar deri në fund, pasi nuk është më çështje morale, por ligjore për ata që e kanë urdhëruar.
Ka tri zhvillime që përkojnë me penalizimin e Veliajt.
Zhvillimi i parë është vendimi i Gjykatës së Lartë për të urdhëruar Gjykatën e Shkallës së Parë të hetojë Nesti Angonin dhe rrethanat e kallëzimit penal të një njeriu që nuk ekziston.
Kjo mund të ketë ngjallur shumë shqetësime jo vetëm te dy prokurorët që i kanë qëndruar si xhelatë për gati dy vjet paraburgimi Erion Veliajt, por edhe te bashkëpunëtorët që ata kanë pasur në këtë proces, të cilët mund të jenë dhe brenda PS. Ata mund të kenë përdorur gjithë ndikimin e tyre te drejtoresha e re e Burgjeve, e cila vjen nga zyrat e BKH-së, për të treguar se nuk dorëzohen.
Për herë të parë, tani ata do të jenë nën hetim për një personazh të sajuar, mbi kallëzimin e të cilit u ngrit një hetim dhe, pa pritur të mbaronte, Erion Veliaj u rrëmbye nga zyra dhe u fut në qeli.
Zhvillimi i dytë është politik dhe lidhet me vetë qëndrimin politik të Erion Veliajt. Postimi i tij me rastin e protestave në Serbi ishte qartazi një postim që i kujtonte Partisë Socialiste dhe Kryeministrit se çdo histori ka një fund. Ishte një deklaratë e pastër politike kundër partisë së tij, e cila nuk lidhej me burgun ku ndodhet, por me politikën jashtë burgut.
Edhe pse nuk kishte reaguar më parë për djegien e qendrës së Tiranës, siç e ka pasur traditë, me postimin e dy ditëve më parë ai thjesht u bë një zë kritik ndaj partisë së tij.
Në rrethana normale, kjo duhet t’i jepte më shumë imunitet në paraburgimin e tij, pasi çdo masë ndaj tij do të identifikohej si ndëshkim politik.
Mungesa e këtij kujdesi, madje transferimi me urdhër të drejtoreshës së Burgjeve, pa marrë as konsultën e ministrit të Drejtësisë, i jep të drejtë fantazisë së çdokujt, por sidomos kundërshtarëve të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës, ta interpretojnë këtë si ndëshkim politik për qëndrimin kundër partisë.
Kjo është tepër për t’u pranuar në vitin 2026 dhe akoma më tepër në një parti që nuk ka kë të ndëshkojë më parë për tradhti ndaj interesave publike, përpara tradhtisë ndaj interesave të partisë. Kur një anije gjendet mes dallgësh të tilla siç gjendet sot Partia Socialiste, ajo lehtësohet duke hedhur në det ngarkesat e tepërta, jo duke marrë pa qenë nevoja ngarkesa të reja.
Që të bjerë kjo pistë, Erion Veliaj duhet të rikthehet urgjentisht në Durrës ose në një burg tjetër më afër shtëpisë, në Tiranë apo Elbasan. E kundërta do ta helmatoste më tej këtë paranojë.
Ngjarja e tretë, e cila në dukje është banale, por që lidhet me këtë “ndëshkim” të Veliajt, është emërimi i drejtoreshës së re të Burgjeve dhe periudha e provës gjatë së cilës ajo duhet të dëshmojë se e meriton atë vend.
Kjo duket pak banale dhe si humor i zi, por, po e ka bërë për këtë arsye, ajo vajza duhet ngritur urgjentisht në karrierë, pasi duket se është e vendosur të vrasë këdo që i del përpara. Por duhet t’i thotë dikush se nuk është gardiane e një burgu të komunizmit, që kishte të drejtë të rrihte të burgosurit. Është drejtoreshë e Përgjithshme e Burgjeve.
Por, që të mos e teprojmë me fantazi, le të fillojë të na sqarojë nëse vërtet ka vendosur ta mbajë dhjetë ditë në izolim për agjitacion e propagandë dhe çfarë rrethanash kanë ndryshuar që ai, pas 20 muajsh në paraburgim në Durrës, të transferohet në Fier, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e ka lënë në krye të Bashkisë së Tiranës.
Dakord, gjykatat dhe prokurorët i kemi të pavarur dhe e duan në burg, por Drejtorinë e Burgjeve nuk e kemi të pavarur. Thjesht nuk e kemi varur akoma!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.