Gjorgjievski: Dikush ka përfituar shumë nga nafta në JSP
Kryetari i Shkupit thotë se JSP ka kursyer rreth gjysmë milioni euro për karburant këtë vit, ndonëse në qarkullim ka më shumë autobusë se më parë — kursime që, sipas tij, ngrenë dyshime për keqpërdorime në të kaluarën.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se Ndërmarrja e Transportit Publik (JSP) ka kursyer rreth gjysmë milioni euro për karburant gjatë këtij viti, ndonëse në qarkullim ka më shumë autobusë se në vitet e kaluara, njofton Alsat.
Sipas tij, aktualisht në linjat e qytetit operojnë mbi 200 autobusë, ndërsa në kohën kur ai mori drejtimin e qytetit ishin vetëm 148. Gjorgjievski vlerësoi se këto kursime ngrenë dyshime për keqpërdorime të mundshme të mjeteve për karburant në të kaluarën.
Për të kontrolluar shpenzimet, në autobusë dhe në automjetet e ndërmarrjeve publike janë instaluar pajisje GPS, si dhe sonda për matjen e konsumit të karburantit.
Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se pritet të mbërrijnë 100 autobusë të rinj ekologjikë, të cilët, sipas tij, do të ndihmojnë në përmirësimin e transportit publik dhe stabilizimin e punës së JSP-së. Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur përgatitjet për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për karikimin e autobusëve të rinj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.