BELGJIKË – Rreth 50 mijë protestues kundër masave shtrënguese, kriza buxhetore vë në vështirësi qeverinë
BRUKSEL, 23 nëntor /ATSH-AFP/ – Dhjetëra mijëra qytetarë protestuan sot në Belgjikë kundër masave shtrënguese dhe shkurtimeve të planifikuara nga qeveria, ndërsa kryeministri Bart De Wever, mori më shumë kohë për të arritur një marrëveshje për buxhetin e ri dhe uljen e shpenzimeve publike.
Kriza buxhetore ka vënë në vështirësi koalicionin qeverisës, ndërsa negociatat mes partive përbërëse nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje.
Më 2 nëntor, kryeministri De Wever i paraqiti dorëheqjen mbretit Philippe, për shkak të ngërçit në negociatat buxhetore, por monarku refuzoi ta pranonte dhe i dha më shumë kohë për të gjetur një zgjidhje.
Në takimin e fundit, mbreti Philippe i kërkoi kryeministrit të vijonte përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për shpenzimet publike, pasi ky i fundit raportoi për herë të tretë brenda një muaji, se diskutimet nuk kishin sjellë përparim.
“Duke shprehur keqardhjen për mungesën e përparimit të rëndësishëm, mbreti e inkurajoi kryeministrin të këmbëngulë për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Pallatit Mbretëror.
Takimi në pallat u zhvillua në të njëjtën ditë me grevën kombëtare kundër shkurtimeve të planifikuara, e cila shkaktoi ndërprerjen e të gjitha fluturimeve dhe probleme në transportin publik, shkolla dhe shërbime të tjera publike.
50 mijë protestues në rrugët e Brukselit
Në kryeqytetin belg, rreth 50 mijë persona morën pjesë në marshimin protestues, sipas policisë. Demonstruesit marshuan në rrugët e Brukselit, duke fishkëllyer dhe valëvitur flamujt e sindikatave.
Në pankartat e tyre ishin shkruar mesazhe si “Të pasurit fitojnë më shumë, punëtorët paguajnë më shumë!” dhe “BDW – Mjaft!”, duke iu referuar kryeministrit me inicialet e emrit të tij.
Protesta u organizua nga tri sindikatat kryesore të vendit, të cilat kundërshtojnë politikat ekonomike të qeverisë, veçanërisht shkurtimet në shërbimet publike, ndryshimet në sistemin e pensioneve dhe masat që prekin pagat e kushtet e punës.
Greva kombëtare paralizoi gjithashtu trafikun ajror.
Kompania “Skeyes”, përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror, njoftoi se nuk mund të garantonte shërbimet e rregullta në aeroportet belge, për shkak të largimit të punonjësve nga puna në kuadër të grevës.
Ndërprerje u raportuan edhe në transportin publik, shkolla dhe shërbime të tjera.
Mosmarrëveshje për shkurtimet prej 10 miliardë eurosh
Belgjika është përfshirë nga disa valë grevash dhe protestash kundër kostos së jetesës gjatë muajve të fundit.
Pjesa më e madhe e pakënaqësisë lidhet me planin e kryeministrit De Wever, për të kursyer rreth 10 miliardë euro gjatë viteve të ardhshme, me synimin për të ulur deficitin e lartë buxhetor të vendit.
Plani ka shkaktuar përplasje edhe brenda koalicionit qeverisës, i cili prej disa javësh është përfshirë në negociata për buxhetin e ri.
Për të ulur deficitin, që tejkalon 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), qeveria po shqyrton shkurtime të shpenzimeve, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, si dhe rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH).
Megjithatë, mosmarrëveshjet mes partive të koalicionit vazhdojnë. Partia e vetme e majtë në qeveri dhe sindikatat kërkojnë që një pjesë e barrës financiare, të përballohet përmes rritjes së taksave për personat me të ardhura të larta, në mënyrë që shkurtimet të mos rëndojnë kryesisht, mbi punonjësit dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Sipas kuadrit aktual fiskal të Bashkimit Evropian, vendet anëtare duhet ta mbajnë deficitin buxhetor nën 3% të PBB-së dhe borxhin publik nën 60% të PBB-së.
Kryeministri De Wever pritet të raportojë sërish te mbreti, javën e ardhshme mbi ecurinë e negociatave dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.