Gjosha: Draft rezoluta e PE-së, pozitive për Shqipërinë
-Ministrja Gjosha takime me eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Gianni Pitella
Gjatë vizitës në Bruksel, Ministrja e Integrimit Europian znj. Klajda Gjosha zhvilloi takime me eurodeputetet Knut Fleckenstein dhe Gianni Pitella.
Ministrja Gjosha, shprehu falenderimet në emër të qeverisë për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për procesin e integrimit. Reformat që po ndërmerren dhe sfidat që e presin Shqipërinë në vijim, ishin në fokus të këtyre takimeve.
Ministrja Gjosha, falenderoi Flekestein për draft rezolutën e hartuar për Shqipërinë, duke e cilësuar mjaft pozitive.
“Ky raport dua të jetë edhe më shumë nxitës për procesin e integrimit të Shqipërisë, sepse realisht të gjithë qytetarët po presin një hap të mëtejshëm, atë të hapjes së negociatave të anëtarësimit”, tha ministrja Gjosha.
Ministrja e Integrimit Europian gjatë kësaj vizite zyrtare zhvilloi një takim edhe me Gianni Pitella. Në fokus të këtij takimi ishte procesi që do të sjellë pas disa vitesh Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Sipas eurodeputetit Pitella, Parlamenti Europian në prill do të bëjë një rezolutë mbi gjendjen e këtij procesi, se në çfarë pike ndodhemi e ku ka mbërritur Shqipëria me përmirësimin e drejtësisë.
“Shumë faktorë ndikojnë në këtë kuadër, hapat që po bën për reformën e këtij sistemi. Inkurajimi që i kemi dhënë qeverisë shqiptare është se duke kuruar gjithnjë e më shumë sistemin gjyqësor në Shqipëri, unë mendoj se më lejohet të them se gjykimi i Parlamentit Europian do të jetë tepër favorizues”, tha Pitella.