Politika

Meta: Basha ka frikë dhe nga hija e tij. Bën si i fortë se ndenji 3 orë me Ramën

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur pa doreza sa i përket qëndrimit të tij për kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Referuar deklaratave të këtij kreut demokrat ndaj LSI-së se do të “falimentojë” pas 25 qershorit, duke e quajtur parti sh.p.k, Meta tha se kurrsesi nuk mund të quhet një gjuhë e egër nga Basha, i cili sipas ish-kreut të LSI-së është i frikësuar edhe nga hija e tij.

Shpk-ja e vërtetë sipas metës është vetë PD-ja dhe këtë e dëshmon lista me kandidatët për deputetë. Sipas kreut të Kuvendit, Basha ka humbur besimin e mbështetësve të tij, duke ju referuar konkretisht kreut të forumit rinor të PD-së, Belind Këllicit, të cilin nuk e ka futur në lista. “LSI ju mashtron me triskat e bukës. Kthehuni në PD se tani jemi më të fortë”. Këtë deklaratë të Bashës, Meta e komenton kështu:  Ai bën si i fortë, sepse ka ndenjur 3 orë vetëm për vetëm me Edin. Nuk e di që aty ai ka mbaruar politikisht edhe moralisht. Para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve. Natyrisht, se Edi ia hedh atij. Atë nuk e llogarit fare, padyshim.

Pjesë nga Intervista në “Debati në Channel One” me Roland Qafokun

Z. Basha i ka pak më ndryshe këto deklaratat ndaj jush personalisht. Ndonjëherë janë edhe therëse, të habitshme. “Tregtari i Venedikut” ju ka cilësuar.

Përse bëhet fjalë. S’e di. Tregtar për çfarë?

“Tregtarit të Venedikut që u zgjodh president si akti i fundit i Republikës së Vjetër dua t’i them ta marrë me qetësi dhe dashuri faktin që shpk-ja e tij do të shkojë drejt falimentimit total në 25 qershor. Merre me qetësi dhe dashuri, mos e shkel etikën se je zgjedhur President i vendit, edhe pse me pazar. Lëre Petritin ta marrë faturën e falimentit të shpk-së. Pazaret nuk kanë vend në Republikën e Re!” Më egër se kaq nuk ka.

Së pari, kjo vetëm egërsi nuk mund të quhet. Ky është dëshpërim, aq më tepër kur këtë gjë e thotë z. Basha. E aq më tepër kur kërcënon një politikan si z. Basha, që trembet edhe nga hija e vet.

Së dyti, z. Basha ka një ftesë nga z. Vasili për të dalë në një debat publik. Dhe nuk duhet t’i shmanget këtij debati.

Në qoftë se ai bën teatër me Ramën, që ky gjoja ta ftojë dhe ai gjoja s’do ta pranojë, z. Basha ka mundësinë të ketë një përballje të vërtetë me z. Vasili, për të sqaruar se kush është SHPK, LSI-ja apo PD-ja e z. Basha. Natyrisht që janë edhe shumë personalitete të PD-së që kanë dhënë vlerësimin e tyre se ç’lloj shpk-je është ajo e z. Basha. Mendoj që lista e tregon më së qarti se ç’lloj shpk-je është ajo.

Tjetër, LSI-ja është parti e rinisë. Ka të gjithë rininë e Shqipërisë me vete. Z. Basha as kryetarin e FRPD, që premtonte se 35% do të jenë në listat e Republikës së Re nga FRPD-ja, nuk e ka në listë. E ka Belind Këlliçin? Shikoje çadrën. Shikoji kronikat e çadrës. Atje ishte Belind Këlliçi, mblidhte nga 200 e 300 të rinj.

Ka demokratë që beson z. Basha? Ka të rinj në Shqipëri që beson z. Basha? Çfarë ka? Po edhe vendet e deputetëve si janë vënë? E di ti? Shko në Vlorë se të tregojnë si janë vendosur njerëzit. Nuk dua të merrem me këtë gjë.

LSI-ja nuk vendos kandidatë me lekë. Njerëz pa kontribute, njerëz që s’i njeh partia. Kush i njeh këta? LSI-ja i ka të gjithë figura, personalitete, brenda partisë dhe në raport me opinionin publik. I ka në mënyrën më transparente e ndaj do të votohet e do të jetë forcë e parë në këto zgjedhje.

“LSI ju mashtron me triskat e bukës. Kthehuni në PD se tani jemi më të fortë”

Ai bën si i fortë, sepse ka ndenjur 3 orë vetëm për vetëm me Edin. Nuk e di që aty ai ka mbaruar politikisht edhe moralisht. Para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve. Natyrisht, se Edi ia hedh atij. Atë nuk e llogarit fare, padyshim. Ai në vend të ndërronte Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që ka përgjegjësi të madhe për të gjithë problemet e drogës në Shqipëri, dhe që ishte një kërkesë më se normale, vajti e mori drejtor OSHEE-je. Apo jo? Ç’lidhje ka drejtori i OSHEE-së me standardin e zgjedhjeve. A mund të ma thuash ti këtë?

Jemi të habitur.

Po pse e bëri Rama? Për ta tallur. Ky e mori se mendoi që do të marrë vota me OSHEE-në.

Së dyti çfarë tregon kjo që “LSI i merr me triska, nuk do t’i marrë më, prandaj hajdeni tek ne, se ne do të vijmë në pushtet dhe do ua japim triskat ne”. Ai e di se njerëzit janë dele e dhi dhe ikin siç do ky?

Por ky harron që në 2013-n kur LSI u nda me Sali Berishën dhe kaloi në opozitë, ky që u bë kryetar i Bashkisë Tiranë vetëm falë LSI-së, sepse nuk do të ishte bërë kurrë, ky hoqi gjithë njerëzit që mund të ishin të LSI-së. Edhe shoferë apo pastrues, i hoqi me listën që i çoi Flamur Noka, që nuk duhet ta bënte këtë gjë, pasi LSI ishte në koalicion me PD-në dhe kishte qenë në një koalicion për katër vjet në pushtetin lokal.

Dhe çfarë ndodhi? LSI vetëm u rrit. E ndihmuan të punësuarit PD-në në 2013-n për të qëndruar në pushtet? Jo.

Ky ka këtë logjikë klienteliste dhe mendon që kështu funksionon edhe LSI-ja. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja që zgjohet në orën 11:00 apo në 12:00. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja se ka 4 vjet në opozitë dhe tre vjet ka jashtë shtetit, kontrolloni dhe sistemin TIMS dhe një vit që ka në Shqipëri e ka vetëm në Tiranë.

Nëse ky ka vajtur një herë në Korçë dhe ka qëndruar me kryesinë e demokratëve atje si njeri, nuk po them në një fshat të thellë të Korçës apo në një fshat të Shkodrës, apo në një fshat të Tepelenës, dhe vetëm ndonjë dalje televizive, ndonjë deklaratë këtu, ndonjë deklaratë atje dhe ky mendon se opozitarët dhe demokratët do të frymëzohen nga kjo lloj sjelljeje burokratike.

Kështu që, nuk ia ka fajin LSI-ja për këtë gjë, LSI-ja e ka ndihmuar edhe këtë, edhe Partinë Demokratike për interesin e vendit.

“Iku dhe SHPK, s’ka më pazar, s’ka më matrapazllëqe…”

Ky kujton se bën pazar me Ramën dhe çdo gjë u vendos në Shqipëri. Ky nuk e di se vendimi merret më 25 qershor dhe vendimin do ta marrin gjithë shqiptarët.

“LSI-ja që nuk mban përgjegjësi asnjëherë si kur është me PD-në ashtu kur është me PD-në”, thotë z. Basha…

LSI-ja nuk mban përgjegjësi për drejtimin e qeverisë. LSI-ja ka mbajtur përgjegjësitë e veta për pozicionet që ka pasur dhe LSI-ja tani do të marrë qeverinë dhe do të mbajë përgjegjësitë e saj për këtë drejtim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button