Gjuha e shenjave, në skulpturat e Ylli Plakës
Artisti i njohur në vendin fqinj për artin e qeramikës, beson se arti mund të flasë përmes detajeve. Me një kompozicion estetik, ai duket sikur ndërton në vepra historinë e tij
Me krahët e humbur tej, gruaja në skulpturën nudo i ka sytë mbyllur. E vendosur në një park, bri të gjelbrës, ajo çfarë fshihet përtej këtij vështrimi duket grishëse për çdo vizitor. Me një estetikë të tij të të shprehurit, artisti Ylli Plaka beson në gjuhën e detajeve. Çdo formë e rrëfimit artistik, orvatet rreth një ideje. Një ngacmimi që vjen herët te skulptori e merr formë si një histori me veprat që ndërton. Me një karrierë të vendosur në vendin fqinj, Itali, ku ndan jetën, Ylli Plaka është një personazh i njohur i skulpturës bashkëkohore. Gjatë vitit 2009, një nga veprat e tij është vlerësuar me çmim të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Maiolica-s, duke rezultuar më e mira mes 500 punimeve në konkurrim, por ai numëron plot ekspozita kolektive e personale të çelura në ambiente shumë dinjitoze brenda e jashtë Italisë. Tashmë numëron më shumë se 25 vite si skulptor profesionist në Itali, por çdo vit në gusht, thotë se vjen të shohë vendin e tij të origjinës. Me një stil a formë të vetën, ai ushqen një misticizëm në artin që bën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.