Gjykata, “arrest me burg” Robert Kullës dhe bashkëpunëtorëve
Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Robert Kullën dhe dy bashkëpunëtorët e tij, të akuzuar për vjedhjen e filialit të një banke tek zona e ish-Bllokut.
Gjatë seancës tre të pandehurit kanë mohuar akuzat në adresë të tyre dhe kanë deklaruar se, paratë e gjetura nga policia në banesat përkatëse kanë qenë të ardhura personale.
Pasi ka dëgjuar qëndrimet e tyre dhe argumentet e akuzës, trupa gjykuese ka caktuar 30 ditë paraburgim për Kullën, deri në verifikimin e të ardhurave nga aktiviteti i tij privat; si dhe “arrest me burg” për Alan Babameton dhe Robert Litin.
Ky i fundit ka deklaruar gjatë seancës se natën e grabtjes ishte me vajzën e tij dhe se në Mal të Zi kishte shkuar për të shoqëruar disa shokë të ardhur nga Gjermania, me paratë e tij.
Tre të rinjtë u arrestuan pasditen e së mërkurës. Gjatë kontrollit të banesave të tyre policia gjetu 16.730 dollarë amerikanë, 10.480 euro dhe 262 mijë lekë, si dhe prova të tjera të krimit si sende që shërbejnë për hapje dyersh, brava dhe çelësa të ndryshëm.