Gjykata e Apelit në SHBA bllokon paditë kolektive kundër Tesla-s për pretendimet për vetëdrejtimin
Një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara i dha të premten një fitore të rëndësishme Tesla-s, duke rrëzuar vendimin që lejonte klientët në Kaliforni të ndiqnin në mënyrë kolektive pretendimet se kompania i ka mashtruar për aftësitë e teknologjisë së saj të vetëdrejtimit të plotë, siç njofton Reuters.
Sipas Reuters, paneli prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Qarkut të 9-të, me seli në San Francisko, arsyetoi se kishte shumë pyetje të individualizuara rreth asaj që blerësit kishin parë në të vërtetë përpara blerjes, ndaj padia nuk mund të vazhdojë si padi kolektive.
Vendimi do të thotë se mijëra blerës kalifornianë, të grupuar vitin e kaluar në tri klasa nga gjyqtarja distriktuale Rita Lin, për momentin nuk mund t’i ndjekin pretendimet e tyre bashkërisht në një çështje të vetme. Tesla i kishte kërkuar gjykatës së apelit të anulonte urdhrat e certifikimit të klasave.
Gjykata nuk u shpreh mbi themelin e padisë për reklamim të rremë dhe çështja mbetet pezull. Paditësit pretendojnë se Tesla po keqparaqet aftësitë e pajisjeve të automjeteve të saj për vetëdrejtim të plotë, duke i bindur klientët të paguajnë para shtesë për një program që, sipas tyre, nuk funksionon siç premtohet. Në vendimin e mëparshëm, gjyqtarja Lin kishte arsyetuar se mijëra blerës potencialë ka gjasa të jenë ekspozuar ndaj pretendimit në faqen e Tesla-s se automjetet e shitura nga tetori 2016 e në vijim përmbanin pajisjet e nevojshme për vetëdrejtim të plotë, por paneli i apelit — gjyqtarët Ronald Gould, Jay Bybee dhe Daniel Bress — tha se paditësit nuk treguan dot se të gjithë anëtarët e klasës ishin ekspozuar ndaj deklaratës së pretenduar të rreme.
Avokatët e paditësve thanë se paneli nuk i vlerësoi plotësisht rrethanat e veçanta të çështjes dhe rëndësinë e deklaratës për pajisjet në fushatën e marketingut të Tesla-s. Tesla, e cila i ka mohuar pretendimet, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Në mbështetje të Tesla-s ndërhyri edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila paralajmëroi se vendimi i shkallës së parë rrezikonte të rriste ndjeshëm kostot e procedurave kolektive të zgjeruara tepër për bizneset dhe konsumatorët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.