Gjykata Kushtetuese e BiH i urdhëron Qeverisë së RS të ndalojë pagesat për lobimin për pavarësinë e Republikës Sërpska
Vendimi u mor mbi bazën e apelimit të nënkryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të BiH-së, Denis Zvizdiç; kontratat e tilla u shpallën të papajtueshme me Kushtetutën e vendit.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës i ka urdhëruar sot, në seancë plenare, Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) që të ndalojë pagesat për të gjitha kompanitë me të cilat janë lidhur kontrata lobimi ku si qëllim përmendet “pavarësia e Republikës Sërpska”, si dhe “qëllime të tjera politike që minojnë institucionet e BiH-së”.
Me këtë vendim, kontrata të tilla u shpallën të papajtueshme me Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Vendimi u mor mbi bazën e apelimit të nënkryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të BiH-së, Denis Zvizdiç (NiP).
Në vendim përmendet konkretisht kontrata me “Dickens and Madson Canada Inc.”, ku si qëllim përmendet eksplicitisht “pavarësia e RS”. Gjykata ndaloi çdo pagesë nga buxheti i RS-së lidhur me kontratën e shërbimeve konsulente të lidhur më 6 shtator 2025 ndërmjet Mladen Filipoviçit, drejtorit të Përfaqësisë së RS-së në Vjenë, dhe Ari Ben-Menashe, presidentit të kompanisë Dickens & Madson Canada Inc., si dhe të gjitha pagesat buxhetore për shërbime lobimi me qëllime kundër Kushtetutës së BiH-së.
Urdhri përfshin edhe Kuvendin Popullor të RS-së, Qeverinë e RS-së, organet e tjera dhe përfaqësitë e RS-së jashtë vendit, të cilat janë të detyruara të ndërpresin pagesat për lobimin që ka për qëllim pavarësinë e entitetit.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.