Thesaret e koleksionit të Artan Lames, për herë të parë për publikun në ekspozitën “Monarkia”
Në Qendrën Muzeale “Garda” në Tiranë, u çel ekspozita numizmatike, faleristike dhe filatelike “Monarkia”, e cila sjell një pasqyrë të historisë shqiptare përmes koleksionit të Artan Lames.
Objektet janë pjesë e koleksionit privat të studiuesit dhe koleksionistit Artan Lame, të sjella në këtë ekspozitë nga vajza e tij, Lisia Lame. Mes objekteve të ekspozuara spikasin dy flamuj të periudhës së Princ Vidit, kartolina, medalje, uniforma dhe fotografi të rralla. Madje edhe pena personale e mbretit Zog, me të cilën ai firmosi kontratën e martesës.
Lisia Lame deklaroi për mediet se ka qenë një ëndërr e babait të saj, për të bërë ekspozita të tilla, për ta treguar koleksionin e tij privat. Koleksioni përfshin 200 flamuj, gjithashtu uniforma, pajisje ushtarake e sende të tjera të rralla.
E bija e koleksionistit, tha se kjo ekspozitë e përkohshme është vetëm një hap i parë, një kapsulë e vogël krahasuar me atë që mund të mbajë një muze i plotë.
Ekspozita prezanton objektet në rend kronologjik duke nisur me figurën e Skënderbeut, vijon me periudhën e Princ Vidit dhe përqendrohet te monarkia e Ahmet Zogut, përgjatë viteve 1928–1938. Përtej rëndësisë historike dhe vlerës së objekteve, secili prej tyre dëshmon edhe procesin e gjatë të kërkimit dhe ruajtjes nga koleksionisti.
Projekti synon të shkojë përtej një ekspozite të përkohshme, me ambicien për krijimin e një muzeu ku kjo pasuri të jetë e aksesueshme për të gjithë.
Ekspozita “Monarkia” sjell kështu në vëmendje një fond me rëndësi për dokumentimin e historisë shqiptare, duke e kthyer një pjesë të koleksionit të Artan Lames në pasuri të ekspozuar për publikun. Ajo do të qëndrojë e hapur edhe nesër dhe është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.