Kronika

Gjyqtarët dhe Prokurorët do të përgjohen 24 orë

Gjyqtarët dhe prokurorët e strukturës antikorrupsion, që do të luftojnë këtë fenomen në nivele të larta të shtetit, do të kontrollohen 24 orë nga një strukturë kundërzbulimi e brendshme.

Në projektligjin për “organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” është parashikuar një strukturë e brendshme, që do të përgjojë bisedat telefonike të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Personi i autorizuar për të përgjuar do të jetë pjesëtar i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Drejtori i Byrosë, kryetari i Gjykatës së kundër korrupsionit dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të zgjedhin me short oficerin përgjegjës për mbikëqyrjen. Oficeri i mbikëqyrjes do të ketë një mandat gjashtëmujor dhe mund të zgjidhet në këtë detyrë dhe dy herë në vit.

“Oficeri përgjegjës kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe oficerëve të Shërbimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Oficeri përgjegjës nuk ka përgjegjësi të tjera hetimore apo administrative”, thuhet në nenin 44 të projektligjit.

INFORMACIONET

Për çdo rast që oficeri i mbikëqyrjes dyshon se prokurorët dhe gjyqtarët janë të përfshirë në vepra korruptive vë në dijeni prokurorin e posaçëm. Në rast se dyshon se prokurori i posaçëm është i përfshirë, atëherë i lind e drejta të njoftojë prokurorët e tjerë. Oficeri i mbikëqyrjes do të përgjojë dhe të afërmit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK, të cilët do të japim pëlqimin për të qenë nën kontroll.

Po ashtu, listës së personave nën survejim mund t’i shtohen dhe të afërmit e gjyqtarëve, të cilët dyshohet se janë pjesë e akteve korruptive. Informacionet e përgjuara dhe shënimet me ligj duhet të shkatërrohen brenda 3 ditëve, por me një urdhër prokurori ato mund të cilëson si prova.

“Një prokuror i posaçëm urdhëron me shkrim, apo gjykatë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar merr vendim me shkrim për ruajtjen e regjistrimeve që mund të ngrenë një dyshim të arsyeshëm për një aktivitet të papërshtatshëm apo kriminal”, thuhet në projektligj.

PËRGJIMET

Në projektligjin e funksionimit të strukturave antikorrupsion, i hiqet dhe ekskluziviteti që ka kryeprokurori për të dhënë autorizime për të përgjuar. Më këtë ligj autorizohet Byroja Kombëtare e Hetimit për të ekzekutuar urdhrat për përgjim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe nga gjykatat antikorrupsion.

“Byroja Kombëtare e Hetimit është institucioni që ekzekuton urdhrat për përgjim të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe të autorizuara nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe që ushtron detyra të tjera të parashikuara në nenin 44, paragrafët 3 dhe 5, si dhe ka kapacitetet e veta për t’i kryer detyrat si më sipër”, thuhet në nenin 45 të projektligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button