Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë strukturë të posaçme për sigurinë dhe vlerësimin e kërcënimeve
Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kërkojnë ngritjen e një strukture të posaçme policore për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, si dhe krijimin e një mekanizmi për vlerësimin e kërcënimeve ndaj magjistratëve.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në përvjetorin e vrasjes së gjyqtarit Kalaja, këto organizata shprehen se, një vit pas ngjarjes, sipas tyre, gjykatat dhe prokuroritë ende nuk kanë një strukturë policore të posaçme për sigurinë.
Sipas deklaratës, mungon gjithashtu një mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar, ndërsa kërkohet edhe miratimi i një kuadri të ri ligjor për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.
“Edhe siguria ka mbetur në vend. Një vit pas vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit, gjykatat dhe prokuroritë nuk kanë ende një strukturë policore të posaçme. Nuk ka mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar. Nuk ka një kuadër ligjor të ri për sigurinë e institucioneve të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Organizatat e magjistratëve kërkojnë nga institucionet shtetërore që të krijojnë një strukturë të posaçme policore për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, të ngrenë një mekanizëm efektiv për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar dhe familjeve të tyre, si dhe të miratojnë një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.
Kërkesat vijnë në deklaratën e përbashkët të publikuar një ditë pas përvjetorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Më 6 tetor 2025, Kalaja u vra me armë zjarri në sallën e gjyqit, ndërsa ishte në ushtrim të detyrës.
Në deklaratë, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë gjithashtu njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” për gjyqtarin Kalaja dhe një trajtim institucional për familjen dhe fëmijët e tij.
Sipas tyre, kërkesat e magjistratëve për masa që do të lehtësonin situatën e familjes së gjyqtarit të vrarë kanë mbetur pa përgjigje.
“Siguria e magjistratit nuk është privilegj. Është garanci për çdo qytetar që kërkon një drejtësi pa frikë dhe pa presion”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, organizatat shprehen se “shteti nuk duhet të presë humbjen e një tjetri për të vepruar”, duke përsëritur kërkesat për forcimin e sigurisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe institucioneve të drejtësisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.