Gogu paralajmëron ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale: Fokus te masat e sigurimit dhe të drejtat e palëve
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu është pyetur ditën e sotme nga mediat lidhur me disa ndryshime të paralajmëruara në Kodin e procedurës Penale.
Sipas Gogut, bëhet fjalë për ndryshimet më të mëdha në këtë Kod që prej miratimit të tij, me fokus te masat e sigurimit, të drejtat e palëve në proces, administrimi i provave, seanca paraprake, prezumimi i pafajësisë, publiciteti i seancave dhe mbrojtja e të dhënave personale.
“Po, në datën 30 shtator ne publikojmë, së bashku me Këshillin e Europës, korpusin më të madh të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që kur ai është miratuar.
Vjen si pasojë e një studimi që Këshilli i Europës ka bërë për sa i përket paraburgimit në Shqipëri, por edhe pas 10 vitesh reformë të shtetit të së drejtës, ku drejtësia ka bërë punën e vetë. Është një moment për t’u rikthyer dhe për t’u parë.
Korpusi është shumë i rëndësishëm, bëhet fjalë për masat e sigurimit. Pra, tashmë kemi një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, kemi jurisprudencë të mjaftueshme kushtetuese, kështu që është e rëndësishme që në bashkëpunim me Këshillin e Europës, që është dhe vendosësi i standartit për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ne të shikojmë caktimin e masave të sigurimit, të shikojmë se si të drejtat e palëve në proces, qoftë në hetim, qoftë në gjykim, të mundet të shikojmë provat dhe se si ato administrohen, të mundet të shikojmë seancën paraprake, të mundet të shikojmë prezumimin e pafajësisë, të mundet të shikojmë edhe publicitetin që një seancë ka dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, tha ministri i Drejtësisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.