Gonxhja: Godina e Klubit “Labëria” në Vlorë s’do të kthehet në muze hebraik, por do restaurohet
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, reagoi sot lidhur me deklaratat për projektin e Muzeut Hebraik në Vlorë, duke thënë se muzeu nuk po ndërtohet në godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”.
Në një sqarim publik, Gonxhja theksoi se bëhet fjalë për dy godina të ndryshme, të regjistruara si pasuri kulturore më vete dhe që i përkasin dy projekteve të ndryshme.
Sipas tij, godina e Muzeut Etnografik të Vlorës është monument kulture dhe mban zyrtarisht emërtimin “Banesa ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik “Labëria’”. Ndërsa Muzeu Hebraik po realizohet në një godinë tjetër, gjithashtu monument kulture, e regjistruar si “Banesa pranë Klubit Labëria”.
“Ka një ndryshim të madh mes mbrojtjes së historisë dhe përdorimit të historisë për të prodhuar frikë, ndasi dhe dezinformim. Tymnajat e ngritura këto ditë rreth Muzeut Hebraik në Vlorë nuk kanë asnjë lidhje me faktet. Përkundrazi, ndërtohen mbi një të pavërtetë lehtësisht të verifikueshme: pretendimin se Muzeu Hebraik po ngrihet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, gjë që nuk është e vërtetë.
De facto dhe de jure, bëhet fjalë për dy godina të ndryshme, dy pasuri kulturore të regjistruara veçmas dhe dy projekte të ndryshme. Godina e Muzeut Etnografik të Vlorës, është monument kulture dhe mban zyrtarisht emërtimin “Banesa ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik ‘Labëria’”. Muzeu Hebraik po realizohet në një tjetër godinë, monument kulture, e regjistruar si “Banesa pranë Klubit Labëria””, tha ai.
Ministri nënvizon se ky dallim është bërë publik dhe është sqaruar institucionalisht prej kohësh. Gonxhja referohet mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës të 13 marsit 2024, ku është diskutuar projekti i Muzeut Hebraik. Sipas procesverbalit zyrtar të mbledhjes, ndërhyrja do të kryhej në banesën ngjitur dhe “vetë Klubi Labëria, nuk do të preket”.
“Pra, ky sqarim është bërë publik institucionalisht më shumë se dy vjet më parë, pikërisht në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Dokumentet kanë qenë aty, faktet kanë qenë aty dhe dallimi mes dy godinave ka qenë i qartë që në procesin e vendimmarrjes”, theksoi ai.
Ministri tha se pretendimet për “fshirjen e historisë së Vlorës” nuk përputhen me projektet e parashikuara për këtë zonë. Përkundrazi, sipas tij, godina historike e Klubit “Labëria” do të restaurohet dhe rijetëzohet.
“Ndaj këtu nuk kemi dy versione të së njëjtës histori. Kemi fakte të dokumentuara dhe publike prej kohësh, përballë një përpjekjeje të sotme për t’i shtrembëruar ato. Por ka edhe një fakt tjetër që ata që sot shpallin rrezikun e “fshirjes së historisë së Vlorës” zgjedhin të mos e thonë: godina e Klubit “Labëria” jo vetëm nuk preket, por do të restaurohet dhe rijetëzohet. Faktet janë të qarta: Muzeu Etnografik nuk po tjetërsohet, nuk po ndryshon destinacion dhe nuk po i hiqet Bashkisë Vlorë”, tha ministri.
Ai bën të ditur se bordi i AADF ka miratuar fondin për hartimin e projektit të plotë të restaurimit dhe muzealizimit të Muzeut Etnografik të Vlorës.
“Një projekt që do të ruajë historinë dhe simbolikën patriotike të godinës, do të restaurojë monumentin dhe do të rijetëzojë muzeun sipas standardeve bashkëkohore”, tha ai.
Sipas ministrit, dy projektet do të bashkëjetojnë në të njëjtën zonë, duke krijuar një pol të ri muzeal dhe kulturor në zemër të Qendrës Historike të Vlorës.
“Ky është dallimi mes zhurmës dhe punës. Mes atyre që prodhojnë tymnaja dhe atyre që investojnë për ta ruajtur historinë. Muzeu Etnografik i Vlorës, në godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”, do të restaurohet dhe do të ketë një jetë të re, duke ruajtur e përcjellë historinë dhe simbolikën e tij të çmuar. Muzeu Hebraik po realizohet në një godinë tjetër, pranë tij, duke krijuar së bashku një pol të ri muzeal e kulturor në zemër të Qendrës Historike të Vlorës, që pasuron ofertën shpirtërore të qytetit, fuqizon kujtesën dhe identitetin e tij dhe i jep një tjetër shtysë zhvillimit turistik, kulturor dhe ekonomik për tërë komunitetin”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.