Gonxhja në ceremoninë e pritjes së Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, takime me personalitete të njohura
Në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, Shqipëria përfaqësohet nga 72 sportistë në 17 disiplina, delegacioni më i madh kuqezi në historinë e pjesëmarrjeve tona në Lojërat Mesdhetare.
Në ceremoninë e pritjes me rastin e hapjes së Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilluar takime me homologë dhe personalitete të njohura nga fusha të ndryshme të jetës artistike, institucionale, publike dhe sportive në Itali.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm delegacionet pjesëmarrëse qeveritare, mes tyre edhe ministri italian i Sportit e Rinisë Andrea Abodi dhe ministri italian për Turizmin, Gianmarco Mazzi.
Ministri Gonxhja ka theksuar se ekipi shqiptar në Taranto, bashkon eksperiencën e sportistëve elitarë me energjinë dhe talentin e brezit të ri me një objektiv të përbashkët, të përfaqësojë denjësisht ngjyrat kuqezi dhe të shkruajë një tjetër kapitull në historinë e sportit shqiptar.
Ai është shprehur më herët se me ndryshimet e fundit në skemën e shpërblimeve për sportistët e nivelit të lartë është rritur ndjeshëm vlera që shteti shqiptar i jep suksesit sportiv. “Në Lojërat Olimpike, shpërblimi për medaljen e artë është rritur me 50%, për medaljen e argjendtë me rreth 86%, ndërsa për medaljen e bronztë është dyfishuar. Në Kampionatet Evropiane, rritja shkon nga 50% deri në 200%, në varësi të vendit të arritur”, ka bërë me dije ministri.
Edhe në Lojërat Mesdhetare në Taranto, Gonxhja ka deklaruar se shpërblimi për vendin e parë është rritur me 50%, ndërsa për vendin e dytë është dyfishuar.
Gjithashtu, shpërblimi i trajnerëve është rritur nga 40% në 50% të shpërblimit të sportistit, ndërsa trajtimi ushqimor është dyfishuar, nga 2,500 në 5,000 lekë në ditë.
“Taranto 2026” merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të njohë mikpritjen e shqiptarëve me Kosovën flamurmbajtëse në vitin 2030.
Ministri Gonxhja ka theksuar se Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të sjellin një tjetër sfidë dhe mundësi të rëndësishme për sportin shqiptar.
Shqipëria, përmes Durrësit, do të jetë pjesë e këtij eventi, duke mirëpritur zhvillimin e garave të lundrimit.
Gonxhja ka theksuar rëndësinë e nisjes që tani të përgatitjes për këtë event, jo vetëm në aspektin e organizimit dhe infrastrukturës, por edhe duke menduar për trashëgiminë që këto Lojëra do të lënë për sportin shqiptar. ” Prishtina 2030 është gjithashtu një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës përmes sportit dhe për të treguar se mund të organizojmë së bashku një event me standarde të larta ndërkombëtare”, është shprehur ministri Gonxhja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.