Gonxhja: Ruajtje e trashëgimisë dhe përmirësim i përvojës së vizitorëve në Butrint
Në Parkun Kombëtar të Butrintit vijojnë ndërhyrjet për ruajtjen dhe konservimin e trashëgimisë kulturore, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një përvoje më të mirë për vizitorët.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se puna në Butrint po vijon në disa drejtime, në bashkëpunim me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.
“Në Butrint po punohet çdo ditë për të ruajtur trashëgiminë, për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për ta bërë komunitetin pjesë të jetës së Parkut”, është shprehur Gonxhja.
Ndërhyrjet përfshijnë konservimin e rrënojave të Forumit Romak, ngritjen e një infrastrukture të re sigurie, si dhe punime riparuese në Kullën Veneciane. Paralelisht, është punuar për përmirësimin e infrastrukturës së parkut, me synim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes së vizitorëve.
Një tjetër nismë është projekti “Butrinti për të gjithë”, me synimin për t’u ardhur në ndihmë personave me vështirësi në lëvizje, duke krijuar kushte më të përshtatshme për një vizitë gjithëpërfshirëse.
Përveç ndërhyrjeve infrastrukturore dhe të konservimit, në Butrint zhvillohen edhe aktivitete kulturore, ndërsa përmes granteve mbështetet komuniteti lokal dhe sigurohet përfshirja e tij në jetën e parkut.
Sipas ministrit Gonxhja, angazhimi për Butrintin shkon përtej ruajtjes fizike të monumenteve, duke përfshirë kërkimin shkencor, kulturën, aksesueshmërinë dhe bashkëpunimin me komunitetin.
“Vijojmë së bashku me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit angazhimin për ta mbrojtur këtë pasuri të jashtëzakonshme e për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm”, u shpreh Gonxhja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.