Gonxhja: Skemë e posaçme financiare për artistët pas ndërprerjes së veprimtarisë skenike
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka nisur konsultimin publik për projektligjin që parashikon trajtim të posaçëm financiar për artistët performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike.
Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se nisma synon të krijojë, për herë të parë, një skemë të posaçme financiare për balerinët, valltarët, akrobatët, këngëtarët e operës dhe koristët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Sipas projektligjit, skema synon të garantojë vijimësinë e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore deri në lindjen e së drejtës për pension, duke ofruar një trajtim financiar pas përfundimit të veprimtarisë artistike skenike.
Nisma parashikon gjithashtu krijimin e mundësive për përfshirjen e talenteve të reja në institucionet kombëtare të artit, si dhe përcjelljen e përvojës profesionale të artistëve te brezat e rinj përmes programeve trajnuese, artistike, kulturore dhe të mentorimit.
Në kuadër të konsultimit publik, MTKS do të zhvillojë më 25 shtator, nga ora 13:00 deri në 14:30, një takim në ambientet e TKOBAP, ku të interesuarit do të kenë mundësi të paraqesin komentet, sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektligjin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.