Gonxhja takim me homologen greke: Nis së shpejti restaurimi i banesës së Faik Konicës
Së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e banesës së Faik Konicës, në fshatin Konicë në Greqi, pas sigurimit të fondeve dhe njohjes së saj si objekt me vlerë historike dhe kulturore.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja pas takimit dypalësh në bashkinë e Prespës me ministren e Kulturës të Greqisë, Lina Mendoni, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.
Gonxhja e cilësoi restaurimin e banesës së Konicës si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe kujtesës së një prej figurave më të shquara të mendimit, letërsisë dhe diplomacisë shqiptare.
Sipas ministrit, Ministria e Kulturës së Greqisë ka konfirmuar statusin e banesës si objekt me vlerë historike dhe kulturore, si dhe sigurimin e fondeve për restaurimin e saj.
Në fokus të takimit ishte edhe avancimi i marrëveshjes për rikthimin në Shqipëri të dy objekteve arkeologjike nga Butrinti, të sekuestruara në Greqi që prej vitit 2002, si dhe forcimi i bashkëpunimit për parandalimin e trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore.
Palët diskutuan gjithashtu mundësinë e mbështetjes nga pala greke për restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe pikturave të saj murale.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte zgjerimi i Memorandumit të Bashkëpunimit të vitit 2022, me synim përfshirjen e kërkimeve dhe gërmimeve arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit, restaurimin e ikonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe organizimin e trajnimeve profesionale për restauratorët në Selanik.
Bashkëpunimi mes dy vendeve pritet të shtrihet edhe në fushën e artit dhe kulturës bashkëkohore, përmes shkëmbimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet teatrove dhe operave kombëtare të Shqipërisë dhe Greqisë.
Takimi synon të forcojë bashkëpunimin kulturor dypalësh, duke vendosur në fokus ruajtjen e trashëgimisë historike, mbrojtjen e pasurive kulturore dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e artit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.