SHBA – Trump: Rusia do të furnizojë tregun global me karburant për të ulur çmimet
UASHINGTON, 9 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se Rusia ka rënë dakord të furnizojë tregun amerikan dhe atë global me naftë diesel, me synimin për të ulur çmimet, pas bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump bëri të ditur se Rusia do të furnizojë menjëherë tregjet me më shumë se 300 mijë tonë naftë diesel.
Sipas tij, në nëntor do të pasojnë edhe 500 mijë tonë të tjera, ndërsa më pas do të dërgohen edhe 1,0 milion tonë.
Presidenti amerikan shtoi se brenda një periudhe të shkurtër mund të dorëzohen edhe 3,0 milionë tonë të tjera, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje mbi mënyrën se si do të realizohet kjo marrëveshje. Sektori energjetik rus i nënshtrohet sanksioneve të gjera ndërkombëtare që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022, ndërsa forcat ukrainase kanë vijuar të godasin shpesh infrastrukturën energjetike ruse.
Trump deklaroi se marrëveshja e pretenduar, së bashku me atë që ai e cilësoi si “kontroll total” të SHBA-së mbi Ngushticën e Hormuzit, do të ndikojë në uljen e ndjeshme të çmimeve të naftës diesel.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë strategjike detare për transportin global të naftës dhe furnizimeve energjetike, pranë brigjeve të Iranit, e cila, sipas raportimit, është përballur me ndërprerje gjatë shtatë muajve të fundit.
“Çmimet më të ulëta për amerikanët, veçanërisht për fermerët, blegtorët dhe transportuesit tanë, janë përparësia ime më e madhe”, shkroi Trump.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të zbatohet marrëveshja dhe nëse vëllimet e njoftuara të furnizimit do të realizohen në praktikë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.