Gonxhja: “Unseen” dhe “Boléro”, muzika e Ravelit vjen në skenën e TKOB
Muzika e Maurice Ravelit dhe gjuha bashkëkohore e kërcimit do të bashkohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, përmes dy veprave “Unseen” dhe “Boléro”, të koreografit Andonis Foniadakis, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar te Kërcimit në Tiranë (IDFT).
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau momente nga shfaqja, duke e cilësuar atë një përvojë artistike që sjell dy dimensione të ndryshme të muzikës së Ravelit, nga atmosfera intime dhe reflektuese te energjia e fuqishme e “Boléro”.
“Unseen” përcjell një udhëtim përmes vetmisë, reflektimit dhe ndjesive të thella, ndërsa “Boléro” ndërton gradualisht një ritëm dhe energji që kulmojnë në një finalizim të fuqishëm skenik.
Përmes koreografisë, dy veprat krijojnë një dialog mes muzikës dhe lëvizjes, duke sjellë në skenën shqiptare një repertor bashkëkohor të frymëzuar nga një prej kompozitorëve më të rëndësishëm të shekullit XX.
Shfaqja do të mbahet të premten, më 9 tetor, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, si pjesë e programit të edicionit të pestë të IDFT.
Veprimtaria i shtohet kalendarit artistik të TKOB dhe synon t’i ofrojë publikut një mbrëmje ku muzika, koreografia dhe interpretimi skenik ndërthuren në një përvojë të veçantë artistike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.