Greqi, fermerët bllokojnë kufirin verior të vendit. Ultimatum 5-ditor qeverisë
Duke i dhënë një afat pesëditor qeverisë të anulojë projektligjet e pensioneve dhe të tatimtaksave, fermerët grekë kanë përshkallëzuar protestat e tyre dhe kanë mbyllur prej mëngjesit të së mërkurës e për 12 orë me traktorë doganat në Greqinë e Veriut, në kufijtë me Turqinë dhe Bullgarinë, ndërsa në kufirin shqiptar, dogana e Kapshticës vazhdon përsëri të bllokohet dy orë në mesditë dhe dy orë pasdite.
Protesta e tyre ka hyrë në javën e tretë të saj, prej ditës kur ata kanë nxjerrë në pikat nevralgjike të rrugëve kombëtare dhe internacionale të vendit nga 10 deri në 15 mijë traktorë. Projetligji i ri për mbi 400 mijë të punësuarit në sektorin bujqësor, sipas tyre u merr mbi 85% të të ardhurave vjetore, duke i rrënuar ata plotësisht.
“Huadhënësit kërkojnë reforma të veçanta që janë gur varri për fermerët. Ne nuk do të lejojmë as këtë qeveri dhe as partitë e tjera politike, që të na varrosin. Do të qëndrojmë këtu dhe kudo tjetër që është e nevojshme”, tha Mavroudis Mavdroudis, fermer.
“Sot këtu në Evzone, në kufi me Shkupin, fillon lufta zotërinj. Fillon lufta”, tha Georgios Papadopoulos, një tjetër fermer.
Pa reforma, fermerët do të mbeten pa pension, deklaron kryeministri Tsipras, i cili i ka ftuar në tryezën e bisedimeve përfaqësuesit e tyre, duke thënë se është i hapur ndaj disa ndryshimeve në projektligj.
Nga ana e saj Ministria e Punës, sipas statistikave të publikuara, bën të ditur që më shumë se 80 për qind e fermerëve grekë deklarojnë të ardhura vjetore më pak se 5.000 euro, duke aluduar se shumë prej tyre shmangin pagesat e taksave dhe sigurimet shoqërore, ndërsa shteti deri tani subvencionon deri në masën 90% pensionet e tyre.
Protesta e fermerëve dhe bllokimi i rrugëve për disa orë ka filluar të sjellë problemet e para në furnizimin e qyteteve, si dhe dëme ekonomike në transportin e mallrave brenda dhe jashtë vendit. Ndryshimet në projektligjin e pensioneve dhe sistemin e taksave për fermerët prekin edhe një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë, të cilët punësohen në sektorin bujqësor në Greqi.