Greqi, miratohet ligji për bashkëjetesë mes homoseksualëve
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, Parlamenti grek ka miratuar një projektligj të rëndësishëm, që lejon marrëveshjet e partneritetit civil midis çifteve të të njëjtit seks, një ligj i miratuar edhe nga disa shtete anëtare të BE-së.
Pavarësisht protestave, që ka ngjallur ky projektligj nga disa parti opozitare në Parlament, si dhe nga Kisha Ortodokse, 194 deputetë kanë votuar pro, 54 kundër dhe 51 kanë munguar në sallën prej 300 vendesh. Kryeministri Alexis Tsipras ka kërkuar falje, që qeveria e tij ka vonuar votimin e këtij projektligji, që duhej të miratohej – sipas tij, – para shumë vitesh.
“Sot ne njohim të drejtën e të gjithë njerëzve, pavarësisht gjinisë dhe orientimit seksual, për të jetuar së bashku dhe për të zgjedhur rrugën e tyre në jetë, ashtu siç ata e shohin atë të përshtatshme. Për të pasur të drejta të barabarta, si në jetë, ashtu edhe në vdekje”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.
Pro bashkëjetesës për partnerët e të njëjtit seks kanë votuar deputetët e partisë qeveritare Syriza, socialistët e PASOK-ut, partia “Lumi”, Unioni i Qendrës dhe disa deputetë konservatorë. Votat kundër ishin të partisë aleate në qeveri, “Grekët e Pavarur”, të Partisë Komuniste dhe të Agimit të Artë.
“Partneriteti civil për çiftet e të njëjtit seks është, në këndvështrimin tim, një domosdoshmëri dhe kjo është me të vërtetë një çështje në lidhje me zgjedhjet e lira të njerëzve, të cilan ne duhet t’i respektojmë”, tha Dora Bakojanis, deputete e “Demokracia e Re”.
“Agimi i Artë është kundër partneritetit civil dhe do të votojë kundër tij. Ne konsiderojmë se institucioni i familjes është një diçka e natyrshme, që është i bekuar nga feja jonë, nga Kisha e Greqisë”, tha Nikos Mihaloliakos, nga “Agimi i Artë”.
E ndërsa në Parlament diskutohej, jashtë ndërtesës dhjetëra aktivistë kanë mbështetur projektligjin në fjalë duke mbajtur parrulla. Në nje lëvizje simbolike, dy aktivistë të veshur si klerikë janë puthur para Mitropolisë së Athinës, duke shkaktuar edhe disa reagime spontane të besimtarëve fanatikë ortodoksë.
Ndërkohë, aktivistët kanë theksuar se, megjithë këtë hap të rëndësishëm, ligji ende nuk lejon në Greqi çiftet e të njëjtit seks të martohen ose të adoptojnë fëmijë, si dhe nuk i jep atyre të drejtat e pensionit apo të sigurimeve, që gëzojnë çiftet e sekseve të ndryshme.