GREQI – Mungesa e punëtorëve shqiptarë në bujqësi nxit rekrutimin e fuqisë punëtore nga Azia dhe Afrika
– Greqia po përballet me mungesë të fuqisë punëtore në sektorin bujqësor, pas largimit të një pjese të konsiderueshme të punëtorëve sezonalë shqiptarë, të cilët për dekada kanë qenë një burim kryesor i krahut të punës në këtë sektor, shkruan tothema.gr.
Tradicionalisht, Shqipëria ka siguruar dhjetëra mijëra punëtorë sezonalë çdo vit për bujqësinë greke, por vitet e fundit një pjesë e tyre kanë zgjedhur të punojnë në vende të tjera, ndërsa të tjerë kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri.
Rëndësia e punëtorëve shqiptarë u bë veçanërisht e dukshme në vitin 2020, kur pandemia dhe mbyllja e kufijve krijuan vështirësi të mëdha për sektorin bujqësor grek.
Në atë kohë, përfaqësues të industrisë së frutave paralajmëruan se mungesa e punëtorëve ishte një nga problemet më urgjente për prodhimin.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, shumë shqiptarë që kanë jetuar në Greqi prej rreth 30 vitesh kanë krijuar aktivitetet e tyre bujqësore, duke blerë pemëtore me sipërfaqe prej dy deri në katër hektarësh.
Disa prej tyre, që dikur punonin me mëditje, tashmë punësojnë vetë punëtorë.
Për të përballuar këtë situatë, Greqia po orienton rekrutimin drejt vendeve të tjera.
Në Manolada, punëtorët nga Bangladeshi kanë zëvendësuar pjesërisht fuqinë punëtore që më parë vinte nga Ballkani, ndërsa në Tebë pjesa më e madhe e punëtorëve bujqësorë janë nga Pakistani dhe India.
Marrëveshje për punësimin e punëtorëve janë lidhur ose po shqyrtohen edhe me Filipinet, Tajlandën dhe Vietnamin.
Ndërkohë, marrëveshja me Egjiptin parashikonte punësimin e deri në 5 mijë punëtorëve sezonalë gjatë vitit të parë të zbatimit.
Megjithatë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është përballur me vështirësi.
Në gusht të vitit 2023, përfaqësues të sektorit bujqësor e cilësuan atë praktikisht të pazbatueshme, për shkak të interesimit të ulët.
Më 29 janar 2026, Ministria greke e Migracionit hapi një platformë të re online për aplikimet, me synimin për të lehtësuar procedurat e punësimit.
Sipas skemës së re, aplikimet mund të kryhen tërësisht online përmes kredencialeve Taxisnet.
Pas periudhës së parë të punësimit, punëtorët mund të aplikojnë për leje qëndrimi deri në pesë vjet.
Ata duhet të largohen nga Greqia pas nëntë muajsh dhe mund të rikthehen pas një periudhe tre mujore, pa pasur nevojë të nisin nga e para procedurat.
Prova e radhës për Greqinë do të jetë sezoni i korrjeve të pranverës dhe verës, kur fermat në veri të vendit do të kenë sërish nevojë për mijëra punëtorë.
Mbetet për t’u parë nëse rekrutimi nga vendet jashtë Evropës do të arrijë të plotësojë boshllëkun e krijuar nga largimi gradual i punëtorëve shqiptarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.