Greqi, shënohet përvjetori i revoltave studentore që rrëzuan juntën ushtarake
Greqia kujton 42-vjetorin e revoltës studentore, që çoi në rrëzimin e juntës ushtarake të kolonelëve të Papadhopoulos.
Dhjetëra vetë u ekzekutuan dhe qindra të tjerë u plagosën nga plumbat e policisë sekrete të diktaturës greke jashtë godinës së Politeknikumit dhe nëpër rrugët pranë qendrës së Athinës. Ndërkohë, ushtria hyri me tank në godinën e Politeknikumit, ku qindra studentë protestonin pro lirisë dhe demokracisë.
42 vite më vonë, sërish Athina gjendet në rrethimin e më tepër se 7000 policëve, këtë herë për të ruajtur rendin nga frika e degjenerimit të protestave në akte dhune.
Sikundër ndodh çdo vit, mijëra grekë vendosin lule në monumentin e viktimave të juntës ushtarake në Politeknikumin e Athinës, në rrugën “Patision”, dhe në vazhdim protestojnë drejt Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të cilën e fajësojnë për qëndrimin pro juntës ushtarake gjatë trazirave të 1973-shit.
Situata e rënduar ekonomike e Greqisë, por edhe problemet sociale në rritje, si dhe frika e akteve terroriste kanë detyruar qeverinë të vërë policinë në alarm të kuq për një periudhë të paktën njëmujore.
Burime pranë autoriteteve greke i thanë Top Channel se, policia ka kaluar në alarm të kuq që prej mëngjesit të së hënës dhe do të vazhdojë të jetë në gjendje alarmi deri më 10 dhjetor.
Sipas policisë, qindra policë do të monitorojnë në distancë protestat, me rastin e përvjetorit të ngjarjes së Politeknikumit, dhe në ditet në vazhdim do të qëndrojnë në zonën e qendrës së Athinës, pasi do të ketë një sërë protestash, të cilat do të kulmojnë me përvjetorin e ekzekutimit prej policisë të 16-vjeçarit Alksis Grigoropoulos, më 6 dhjetor.
Në planin e masave që janë marrë prej policisë, janë edhe vendosja e policëve në kryqëzimet kryesore të qendrës, izolimi i menjëhershëm i personave të dyshuar për akte dhune, si dhe shoqërimi i tyre në rajonet e policisë.
Masa janë marrë edhe për patrullimin nga ajri, si dhe dhjetëra zjarrfikëse dhe ambulanca gjenden në disa pika të qendrës për të ndërhyrë, nëse do të jetë e nevojshme.
Me gjithë kërcënimet e grupimeve ekstremiste e anarkiste, që kanë kërcënuar për akte dhune dhe një protestë të “nxehtë”, siç e quajtën ata demonstratën e sotme, ka qenë ministri i Mbrojtjes, që kërkoi prej krerëve të policisë të shmangin konfrontimin me protestuesit, si dhe përdorimin e gazit lotsjellës nëse do të ketë akte dhune.
Synimi është që të mos provokohen protestuesit dhe protestat të përfundojnë sa më qetë. Në Athinë ekziston frika e publikimit të akteve të dhunës, pasi përleshjet në rrugët e kryeqytetit grek largojnë mijëra turistë, të ardhurat prej të cilëve i ka të nevojshme më shumë se kurrë, për shkak të krizës të thellë ekonomike që po kalon vendi.
Masa të rrepta sigurie janë marrë edhe për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, si dhe të godinave të ambasadave të huaja dhe kompanive të mëdha europiane, izraelite dhe amerikane në Athinë, por dhe në qytetet më të mëdha të Greqisë.